Drejtori i përgjiths hëm i Partizanit, Olsi Rama, nuk ka qenë në stadium në ndeshjen me Kukësin, pasi ndodhet pranë familjes në Amerikë. Gjithsesi, ai u tregua i gatshëm që përmes “Panorama Sport” t’i kthente një përgjigje të gjatë presidentit të Kukësit, Safet Gjici, i cili një ditë më parë, në intervistën e tij për gazetën, hodhi një lumë akuzash ndaj Partizanit.

Drejtori Rama ia ka numëruar të gjitha presidentit të Kukësit, ku në fund i kujton se duhet të fitojë më i miri dhe pa viktimizime apo cenime të garës. Olsi Rama krenohet me tifozët e kuq, por thotë se i kërkon falje personalisht mikut të tij Gjici për ofendimet karshi në stadiumin “Loro Boriçi”. Ja reagimi i plotë i Olsi Ramës për “Panorama Sport” në lidhje me akuzat e Gjicit.

FALËNDERIMI PËR EKIPIN

“Pikësëpari dëshiroj të falënderoj dhe përgëzoj ekipin dhe stafin për zemrën që treguan në fushë, edhe pse me mungesa shumë të rëndësishme në skuadër. U uroj shërim sa më të shpejtë të gjithëve, që nga “ushtar” Telushi, të cilit çdo javë i shtohen spaletat mbi shpatulla me kontributin që jep, e deri te Mala, Hebaj e Hysenaj pa i përmendur të gjithë, se janë shumë dhe njësoj të rëndësishëm. Ata e dinë që mund të jenë të qetë në rikuperimin e tyre, se Partizani para të gjithave është një grup i shëndetshëm”.

SYRGJYNOSJA E NDESHJES

“Ndeshja e së premtes duhet të ishte tabloja më e bukur e Superiores, duhet të ishte shembulli i garës për ata që aspirojnë të luftojnë për kreun, për ndjekësit e rregullt, si dhe për ata që dëshirojnë t’u rikthehen shkallëve të stadiumeve. Fatkeqësisht ndeshja më e rëndësishme e kampionatit u “syrgjynos” në Shkodër, me qëllimin e qartë për të mbajtur larg ata për të cilët futbolli luhet, sportdashësit. Fatmirësisht, takimi u luajt në djepin e futbollit shqiptar, në stadiumin më të mirë, në atë stadium ku Partizani uron të kthehet dhe të luajë vitin tjetër me titullin të qëndisur në fanellë dhe me shkallët plot me tifozë të Vllaznisë e Partizanit”.

FUSHA E ËNDRRAVE
“Pavarësisht kësaj dhe për mos të dalë jashtë kontekstit dua t’i kujtoj presidentit Gjici që edhe ne paguajmë çdo javë kur luajmë në shtëpi, 500,000 lekë të reja, por objektiv kemi që spektaklin e fushës t’ua dhurojmë spektatorëve dhe jo shkallëve bosh.

Në filmin “Field of dreams” (Fusha e ëndrrave) Kevin Kostner, interpreton një fermer amerikan, i cili ndërton një fushë bejsbolli, sepse dëgjon një zë misterioz që i thotë “If you build it, they will come” (Nëse ti e do ndërtosh atë, ata do të vijnë) dhe në atë fushë vijnë të luajnë legjendat e bejsbollit dhe bashkë me ta dhe tifozët.

Kjo metaforë është më se e vlefshme për futbollin shqiptar sot, prandaj i kujtoj biznesmenit Gjici që nëse dëshirojmë të krijojmë një produkt fitues, duhet ta ndërtojmë të gjithë së bashku këtë “fushën e ëndrrave”, ku të sjellim në radhë të parë spektatorin dhe të rrisim në mënyrë të qëndrueshme vlerën e tregut të futbollit shqiptar.

Të arrijmë ditën kur vërtet të ketë kuptim të rrisim çmimin e biletave, se do kemi mundësi të dhurojmë më shumë spektakël brenda fushës, nëpërmjet lojtarëve cilësorë që do kemi mundësi të paguajmë nga rritja e të ardhurave të biletave e marketingu, e jo ta krijojmë spektaklin artificialisht me deklarata jashtë fushe”.

TIFOZËRIA E KUQE

“Unë si drejtor i Partizanit krenohem me tifozërinë e zjarrtë të ekipit dhe i falënderoj që e ndoqën dhe në këtë ndeshje, pavarësisht distancës së largët dhe çmimit të lartë të biletave. Treguan se janë një tifozëri kampione, për një ekip që meriton të dalë kampion. Jam kundër ofendimeve ndaj çdo presidenti klubi, përfshirë presidentin Gjici, i cili ka investuar shumë në futboll, duke bërë paraqitje dinjitoze edhe në Europë.

Duhet theksuar që presidentët e klubeve meritojnë përgëzime për guximin dhe dashamirësinë, pasi investojnë në futbollin tonë, i cili rikthen shumë pak ose shumë rrallë të ardhurat. Por, i theksoj presidentit Gjici, që tifozëria e Partizanit është më shembullorja, më e sakrifikuara dhe një nga gjërat e bukura të futbollit tonë.

Janë pa dyshim tifozëria më e shumtë dhe më e mirë në vend dhe nëse kanë ofenduar mikun tim Gjici, unë i kërkoj personalisht ndjesë atij. Shpresoj që këto gjëra mos përsëriten më kurrë në stadiumet tona dhe nga ana ime e siguroj që do bëj maksimumin që mos të ndodhin më”.

DISTANCIMI
“Ju e dini shumë mirë që unë nuk merrem me punët e ekipeve të tjera, por këtë gjë e pretendoj dhe nga rivalët. Kemi ende shumë punë në shtëpitë tona respektive, ka ende disa javë kampionat dhe ne jemi këtu për të fituar, por për të fituar në të gjitha aspektet, jo vetëm në atë sportiv.

Distancohem tërësisht nga akuza për orkestrime të tilla, sepse nuk janë as në natyrën time, as në natyrën e presidentit Demi dhe nuk do të jenë kurrë pjesë e Partizanit. Ne i respektojmë të gjithë dhe pretendojmë të respektohemi, ashtu siç normalisht pretendojnë të respektohen dhe tifozët. Ndaj tyre duhet treguar kujdes, pasi nëse ne kemi mediat ku mund të shprehemi, atyre u mbeten vetëm shkallët e stadiumeve për të shprehur mendimin e tyre pa censurë”.

AKUZAT PËR PENALLTITË
“‘Fair play’ dhe ‘Respect’ janë sloganet e UEFA-s dhe FIFA-s dhe nuk kanë kufij vizat e bardha të fushës, ndaj dhe akuzat e presidentit Gjici për penalltitë e Partizanit duhet të jenë më të menduara dhe jo emocionale si veprimet e 23- vjeçarit Asani në kulmin agonistik të lojës.

Meqë jemi këtu dhe për mos ta anashkaluar, bilancet e penalltive jemi gati t’i bëjmë në krahasim me çdo klub, si për këtë sezon, ashtu edhe për sezonet e shkuara. Për sezonin në fjalë krahasuar me ndjekësit tanë më të afërt jemi katër me katër, ndërkohë dy nga penalltitë e dhëna për ne s’kanë influencuar në rezultatin përfundimtar”.

VIKTIMIZIMI “I kujtoj publikut se në studio, jo në klubin e Partizanit, por në studio u diskutua dhe për një penallti në favorin tonë për ndërhyrjen e Frashërit ndaj Çinarit në pjesën e parë të lojës. Përsëri ne nuk u ankuam, pavarësisht se ndeshja ishte dhe e jona për t’u fituar. Nuk u ankuam, jo se nuk e kemi atë të drejtë, por sepse dëshirojmë të respektojmë garën dhe gjithë aktorët e saj.

Nuk u ankuam, sepse Partizani është një realitet i bukur, i cili synon më shumë se sa titulli kampion. Unë jam dhe kam qenë gjithnjë për “fair play” dhe korrektësi. Le të fitojë më i miri, por pa viktimizime joreale dhe pa cenime të garës. Partizani ka qenë, është dhe do jetë shëmbëlltyra e meritokracisë dhe imazhit pozitiv”.