Edhe pse e pa veten në avantazh të dyfishtë pas gjysmë ore lojë, Arsenali mori vetëm një pikë në transfertën e “Anfield”. Liverpooli reagoi pas golave të Matinellit dhe Gabriel Jesus, duke evituar humbjen nëpërmjet realizimeve të Salah dhe Firminhos.
2-2 përfundoi dueli i zjarrtë i Premier League, rezultat që gëzoi Manchester City. Skuadra e Pep Guardiolës ka mundësinë të dërgojë në 3 pikë distancën me Arsenalin kryesues.
Trajneri i Gunners, Mikel Arteta është i pezmatuar për mungesën e fitores. “Ishte një ndeshje fantastike për t’u parë nga tifozët. E nisëm mirë, por pësuam gol pak përpara fundit të pjesës së parë.
Nisëm të humbnim kontrollin dhe filluam t’u dhuronim shumë topa Liverpoolit. Ndeshja u hap, ata morën zemër edhe nga tifozët. Unë mendoj se barazimi është rezultat i drejtë.
Por më vjen keq sepse e kishim ndeshjen në dorë kur ishim 0-2. Kishim shansin të vrisnim ndeshjen, por gabuam dhe rifutëm Liverpoolin në ndeshje”, deklaroi trajneri spanjoll.
Në fund elozhe për portierin Aaron Ramsdale: “Një tjetër ndeshje ku u tregua fantastik. Kur luan në Anfield ke nevojë edhe për pritjet e portierit”.