Ish-presidenti i Dinamos, Marko Pontreli, ka bërë padi në Gjykatën e Tiranës, ku pretendon se është përjashtuar padrejtësisht nga bordi drejtues i klubit. Ai këmbëngul se Dinamo nuk është shitur dhe se ai do ta ndjekë në rrugë ligjore, deri në Strasburg, po të jetë nevoja.

“U vura në dijeni të deklaratave të zotit Bardhi, por çfarë ndodh nëse në gjykatë ato vendime që ai dhe të tjerët kanë marrë së bashku do të anulohen? Mos mendoni se unë jam naiv dhe i hyj një çështjeje që mund ta humb.

Përkundrazi, jam i bindur që do ta fitoj, por fjalën e fundit le t’ia lëmë gjykatës. Ndërsa sa i përket shitjes së klubit të Dinamos, mund t’ju them se Bardhi është konfuz dhe jo korrekt.

Nëse thotë që klubi është shitur, atëherë kjo përbën vepër penale ose në të kundërt të tregojë faturat ku e ka blerë… Duhet ta kishte zgjidhur më shpejt këtë gjë dhe po ju them se nëse më zemërojnë me sjellje të tilla, unë do ta ndjek këtë çështje edhe jashtë Shqipërisë.

Kam mjaftueshëm dokumente dhe mesazhe, saqë futbolli shqiptar mund të shembet me ato që mund të nxjerr.

E pres edhe që të më mbulojnë me baltë në të ardhmen, por nëse mbërrijmë deri këtu, atëherë do të nxjerr të gjitha pisllëqet që bëhen aty, por këtë herë do ta bëj në median e vendit tim. Ta kenë të qartë këtë”, deklaroi Pontreli ekskluzivisht për “Panorama Sport”.