Seria A do të takohet ditën e nesërme me Federatën Italiane për të diskutuar mbi një protokoll të dakordësuar së bashku me qeverinë, ose në të kundërt ata nuk do të kthehen në stërvitje, raporton “Football ITALIA”.

Stërvitjet në grup në Itali pritet të rifillojnë në datë 18 maj, ama është diçka që i shqetëson klubet e Serisë A, që është vendimi në lidhje me izolimin e të gjithë skuadrës në rast të një futbollisti të infektuar.

Seria A lëshoi një deklaratë ditën e sotme ku njoftonte për takimin që do të mbahet të premten në mëngjes: “Nesër në mëngjes do të takohemi me mjekët e sportit dhe federatën për të gjetur rrugën e diskutimit konstruktiv së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, atij të Sportit dhe me Komisionin Tekniko-Shkencor, në mënyrë që të arrijmë një protokoll të përbashkët.”

Edhe Shoqata e Futbollistëve Italiane (AIC) nuk është dakord me protokollin e miratuar nga qeveria por i ndryshuar nga Komisioni Tekniko-Shkencor, për të njëjtën arsye. AIC deklaroi ditën e sotme se në rast se aplikohet izolimi i të gjithë skuadrës, atëherë rrezikohet të mbyllet sezoni akoma pa filluar mirë.