Racizmi në futboll është kthyer në një problem shqetësues dhe po rritet si fenomen nga dita në ditë. Të shumta janë masat dhe dënimet e dhëna për klube të ndryshme e njëkohësisht për futbollistë apo tifozë të cilët kanë treguar racizëm ndaj të tjerëve, por gjithsesi ky numër nuk është ulur.
Pak kohë më parë, Anglia u përball me racizëm në ndeshjen ndaj Malit të zi dhe ishte pikërisht futbollisti Rahim Sterling ai i cili ra pre. Tifozët e Malit të Zi po e konsideronin majmun gjatë gjithë ndeshjes, por ky i fundit arriti t’u mbyllte gojën me gola. Sulmuesi anglez ka kërkuar masa të ashpra ndëshkimore për klubet e futbollit kur shfaqet racizëm, duke thënë se duhen hequr 9 pikë.
“Një klub futbolli i pasur nuk e ka problem se paguan një gjobë pas racizmit të treguar dhe vetë tifozët nuk penalizohen. Tifozeria do të ishte më e kujdesshme nëse masat ndëshkimore bëhen me heqjen e pikëve nga klasifikimi dhe duke ditur se ekipi mund të bjerë nga Kategoria ose mund të humbasë titullin, atëherë nuk do të kishte racizëm. Po të hiqen 9 pikë, them se ndryshojnë gjërat”, tha Sterling.
Kjo kërkesë e tij, ka marrë mbështetje edhe nga vetë Federata Angleze e Futbollit që gjithashtu po përballet me racizëm të shumtë në Premier Ligë, gjë e cila nuk po parandalohet dot. /VipSport/