“Nëse dëshironi Erling Haland, duhet të bëni gati një rrogë prej 25 milionë eurosh neto në sezon. Kjo është përgjigja që Mino Raiola i ka dhënë një klubi të Premier Ligës, duke lënë të shtangur drejtuesit që kishin kontaktuar me menaxherin dhe më pas me babain e futbollistit i cili ka konfirmuar të njëjtat pretendime financiare.
“Goal.com” bën të ditur se klubi në fjalë ishte interesuar seriozisht për lojtarin dhe bënte pjesë te grupi i atyre pak klubeve që vetë Raiola ka identifikuar si të mundshëm për të siguruar firmën e lojtarit. Por me sa duket nuk e pritnin një përgjigje të tillë për 20-vjeçarin, i cili është ende në vitet e tij të para në futbollin profesionist.
Një shifër e tillë nënkupton se ai do të kalonte emrat më të njohur të futbollit botëror dhe të ishte i dyti në listën e më të paguarve në botë pas Lionel Mesit.
As Kristiano Ronaldo, Nejmar apo Mbape nuk e përfitojnë një shifër të tllë por Raiola mendon se lojtari i meriton këto shuma dhe kërkesën e ka vendosur si kusht parësor për të gjithë ata që duan të sigurojnë firmën e tij, në këtë verë, apo në të ardhshme kur aktivizohet klauzola për t’u larguar nga Borusia Dortmund për vetëm 75 milionë euro.
Por me një rrogë të tillë, janë shumë të pakta klubet në botë që kanë mundësinë reale të përballojnë shpenzimet. /vipsport/