Me afrimin e bujshëm të kësaj merkatoje, siç është Bekim Balaj, Alban Xhaferi beson te një tjetër Vllazni në pjesën e dytë të këtij sezoni, duke filluar nga ndeshja e rradhës. Kështu, me rikthimin e sulmuesit të Kombëtares, presidenti shkodran mendon se gjithçka do të ndryshojë për mirë.
Në një intervistë ekskluzive për “Shkodra Sport”, Xhaferi foli për afrimin më të fundit të klubit kuqeblu, siç është Bekim Balaj. Presidenti i Vllaznisë tha se me Balajn ka pasur negociata edhe më parë, por ndoshta ky ishte momenti i duhur që ai të rikthehej në Shkodër.
Poashtu, Xhaferi u shpreh se Balaj është një goditje e zgjuar për Vllazninë, ndërsa theksoi se ndihet shumë krenar për rikthimin e tij në Shkodër pas 13-vitesh. Më poshtë, mund të lexoni intervistën ekskluzive të presidentit të Vllaznisë, Alban Xhaferi, për gazetarin e “Shkodra Sport”, Maringlen Zhivani.
“Ne kemi negociuar me Bekimin në fakt edhe vitin e kaluar, por nuk ishte momenti. Megjithatë, këtë vit bëmë shumë negociata dhe arritëm një rezultat pozitiv në të dyja anët, ku firmosëm këtë marrëveshje, që mendoj se është një diçka shumë e mirë për klubin e Vllaznisë, duke pasur parasysh emrin e tij, por edhe eksperiencën e tij, ku mbi të gjitha Bekimi është një djalë i shkëlqyer, i cili është edhe emocionalisht i lidhur me qytetin dhe besoj se është një goditje e zgjuar për ne.
Sigurisht që, jemi krenar së tepërmi për afrimin e Bekim Balajt te Vllaznia. Megjithatë, ajo ç’ka është më e rëndësishme është që si Bekimi, ashtu edhe futbollistë të tjerë shkodranë, por edhe të tjerë të punojnë për arritjen e objektivave për Vllazninë dhe gjithmonë të kemi rezultate pozitive, në mënyrë që ta rrisim nivelin dhe të jemi në majat e futbollit shqiptar, që të kemi një përfaqësim të denjë dhe në nivele ndërkombëtare.
Ne kemi bërë një kontratë me Bekimin për tre vite dhe arsyeja që e kemi bërë për tre vite është sepse ne besojmë te Bekimi, besojmë te vlerat e tij, besojmë se ai do të japin më të mirën për ekipin. Personalisht, unë mendoj që ai do të bëjë diferencën në kampionatin tonë dhe sigurisht që urojmë të na shkojë sa më mbarë.
Afrime të tjera? Në fakt, për afrimet e tjera nuk mund të flas asgjë, sepse jemi akoma në negociata. Merkatoja akoma nuk është mbyllur. Kështu që, kam dëshirë t’i lëmë gjërat konfidenciale, sepse nuk parapëlqej të flas një diçka që ne kemi në proçes negociatash me gjithsecilin futbollist që potencialisht mund të vijnë ose ndoshta mund të ketë edhe largime.
Unë dua t’i jap një mesazh tifozëve kuqeblu që të na mbështesin masivisht ekipin në shkallët e stadiumit, sepse tifozi i vërtetë gjendet në stadium, në mënyrë që të motivojnë sa më tepër skuadrën për rezultatet pozitive dhe dua t’i falënderoj përzemërsisht për të gjithë mbështetjen e deritanishme. Dua t’i siguroj ata që ne do të bëjmë më të mirën dhe ne besojmë siç besojnë ata në rezultatet më të mira dhe në objektivin e titullit kampion”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi.
Maringlen ZHIVANI