Partizani dhe Egnatia kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 8-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”, përfundoi 0-0. Pas këtij dueli ka folur trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja.

“Lajm i mirë është që nuk pësojmë gol, por edhe që krijojmë shumë. Kishim 3 raste në pjesën e dytë që ishin flagrante, mund të shënohej gol. Çunat do të shënojnë, Toma, Skuka dhe Gudjufi. U aktivizuan të gjithë sulmuesit. Rëndësi ka që dalin para porte dhe pjesa e tjetër do të përmirësohet sa më shpejt. Duke parë që ekipi kundërshtar ndryshoi, mendova të ndryshonim gjerësinë e fushës, për t’i kapur në tranzicion pozitiv.

Ajo që kam kërkuar që në fillim, ka qenë se djemtë shtojnë besimin të cilësitë e tyre. Vetëm kështu mund të ndryshonte gjendja që ishte. Duke parë Egnatian se me kë ndërtonte poshte, duhej ndryshim. Me ndryshimin e tyre e bëmë edhe ne, duke qenë më ofensive dhe duke krijuar ato raste që kishim, duke marrë topat e dytë dhe të ishim mes linjave anësore.

Dëmtimet, mbrojtje me 5? I kemi lojtarët për diçka të tillë. Sot ishim të dyzuar, bëmë 2 zëvendësime të detyruara, nuk manovronim dot. Lojtarët janë, mund të luajmë me 3 dhe me 5. Anësorët janë shumë të mirë, Buxhelaj, Qokthi, Davidi, Marku. Falë Zotit janë 30 lojtarë të gatshëm dhe të tjerë që mund të vijnë nga poshtë, ekipi B.

Shpresoj që të shikosh pak më shumë ndeshjet (i thotë Arben Milorit). Nuk është e vërtetë që ekipi nuk shkon përpara. Ne kemi dominuar në pjesën e dytë, Egnatia nuk ka pasur asnjë rast. Ti ke drejtuar vetë moshat e Dinamos. Kjo është detyra e trajnerit, për të nxjerrë sulmuesit para portierit. Nëse portieri bën pritje spektakolare, nuk mendoj se është gabim. Duke parë 6 ndeshjet e para duke pësuar gol, çdo trajner mundohet që të përmirësojë këtë pjesë. Avash avash do e rregullojmë të shënojmë gola. Djemtë po luftojnë, po vrapojnë 12-13 kilometra, që janë shumë për kampionatin shqiptar.

Historinë e Partizanit e di edhe unë, siç e dini dhe ju. Partizani është ekipi më i madh në Shqipëri. Nuk sulmoi Partizani në pjesën e dytë? Gjykimi është relative dhe reciprok. Varet se si e quan ti sulmin, varet si e quaj unë. Për mendimin tim ekipi ka krijuar. Vazhdoni të keni të njëjtat ide, unë do vazhdoj përpara me këta çuna dhe këtë grup. Në gjendjen ku ishte Partizani dhe sidomos në psikologji, është e vështirë të kalosh në aventurë dhe të pësosh humbje. Beni ka mendimin e vet”, tha Kërnaja pas ndeshjes.