✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”
Vllaznia në futboll për femra vazhdon të bëjë mirë në kampionat dhe kryeson e vetme renditjen me 5 fitore në 5 ndeshje të luajtura deri tani. Ajo konsiderohet kandidatja kryesore për fitimin e titullit kampion edhe këtë sezon, ndonëse disa kundërshtarë po i lëvizin të gjithë gurët për “t’ia ndërprerë hovin”.
Në kampionatin aktual duket se do të ketë një konkurrencë edhe më të madhe sepse përpos Apolonisë, Partizani e Gramshit, është shtuar edhe Teuta si një ekipe me ambicje për të bërë mirë. Në pamje të parë duket se do të ketë një garë më të fortë dhe synimi i këtyre katër ekipeve sigurisht që është për të ndalur Vllazninë.
Më e keqja është se këtë gjë po mundohen ta bëjnë ashtu si dhe vitet e tjera përmes veprimeve aspak të ndershme. Përpos rrugëve dytësore që po përdorin për ta mundur Vllazninë, ka edhe një rrugë tjetër: Atë të lojës aspak fair- play në fushë.
Mjafton të shohim këtë foton ilustruese të këtij shkrimi dhe e kupton qartë atë se çfarë jemi duke thënë. Këto dëmtime të njërës prej lojtareve të Vllaznisë kanë ndodhur në ndeshjen e javës së kaluar ndaj Partizanit. Kanë ardhur si rrjedhojë e tentativave të lojtareve të Partizanit për t’i dëmtuar me çdo kush futbollistet shkodrane.
Dhe si lojtarja në foto, edhe të tjerat kanë dëmtime nga më të ndryshmet dhe të gjitha këto kanë ndodhur në sytë e arbitres së takimit që i ka toleruar vazhdimisht. Vetëm në minutën e 90-të ajo ka nxjerrë një karton të kuq për njërën nga lojtaret e Partizanit dhe atë më shumë për gjeste antisportive sesa për lojë të rëndë. Ndërkohë asnjë reagim nga lojtaret e Vllaznisë që janë shembull për sjelljen e tyre në fushën e lojës dhe jashtë saj.
Stafi i Vllaznisë në fakt nuk ka dashur t’i bëjë publike këto foto për shumë arsye, por është vetë futbollistja e cila i ka dërguar në redaksinë e gazetës. Ndërhyrje me taka në gju me qëllimin dëmtimin e rëndë, tentativa për goditje direkte në kavilje, janë veprime aspak të pranueshme dhe që nuk kanë të bëjnë me futbollin fair- play.
Nëse kundërshtarët e Vllaznisë mendojnë se vetëm kështu mund ta ndalin atë, gabojnë. Kjo sepse skuadra shkodrane nuk ka vetëm një apo dy lojtare, por është një skuadër e mirëinvestuar dhe që suksesin e kërkon në fushën e lojës dhe jo përmes veprimeve antisportive dhe gjesteve të tjera të shëmtuara.
Mbase ky shkrim duhet të shërbejë edhe si apel për Federatën Shqiptare të Futbollit për “t’i tërhequr veshin” arbitrave sepse më shumë se një fitore vlen shëndeti i sportisteve.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”









