Ditët e fundit, pjesë e grumbullimit të ekipeve kombëtare të moshave ka qenë edhe një futbollist i Akademisë Vllaznia. Bëhet fjalë për Kevin Dodaj, sulmuesin 15 vjeçar që ka nisur të spikasë me paraqitjet e tij në ekipin shkodran dhe jo më kot tashmë është grumbulluar edhe me kombëtaren e kësaj grupmoshe.
I datëlindjes 3 shtator 2005, Kevin e ka filluar karrierën me ekipin “The Door” ndërsa ka luajtur më pas edhe me ekipin “Atletik”, ndërsa prej dy vitesh është pjesë e Vllaznisë.
Tek kjo e fundit ka gjetur vetveten dhe po njeh shpërthimin e tij. Meritën kryesore duket se e ka trajneri Astrit Prençi i cili e ka stërvitur gjatë vitit të kaluar dhe ndonëse në fillim të sezonit, nuk ishte protagonist, me kalimin e javëve gjërat ndryshuan.
“Pashë tek ky lojtar cilësi shumë të mira, të cilat më bënë t’i besoj edhe më shumë dhe ai ma shpërbleu me lojën e tij. Një sulmues i lindur, i cili kishte raport të mirë me golin dhe këtë e tregon më së miri fakti që shënoi mbi 20 gola.
Luan mirë me këmbë, është i shpejtë, taktikisht dhe teknikisht është perfekt dhe këto të dhëna më bëjnë të besoj se nëse Kevin vazhdon të punojë me të njëjtën dëshirë, do të bëhet një lojtar i mirë, por është herët të flasim. Ka ende shumë rrugë për të bërë përpara”- thotë Prençi.
Sivjet sakaq, Dodaj ndonëse është vetëm 15 vjeç ka kaluar tek ekipi i paratërinjve të Vllaznisë me trajner Brikeno Bizin, ku do të kërkojë të tregojë sërish vlerat e tij më të mira./SHKODRA-SPORT.COM/