Ditët e fundit është folur shumë në lidhje me mundësinë e riveshjes kuqeblu të futbollistit Kevin Dodaj. Kjo ngaqë ai tek skuadra e tiij aktualee CSKA Sofia, nuk po gjen hapësirat e duhura dhe si rrjedhojë ekziston mundësia e huazimit.
Një hipotezë e tillë u shtua edhe më shumë se për 2-3 ditë në ato të fundit të vitit që sapo lamë pas, Dodaj duke u ndodhur në Shkodër, u stëvit me Vllazninë, thjesht për të ruajtur formën. Vetëm kaq, asgjë më shumë ndonëse kjo krijoi shumë aludime për një rikthim të tij tek skuadra që e bëri të njohur.
Megjithatë Gazeta “Shkodra Sport” mëson se nuk ka asgjë të vërtetë. Të paktën për momentin. Sulmuesi 20 vjeçar do t’i japë fund pushimeve të fundivitit pranë familjes së tij dhe të dielën do të niset drejt Bullgarisë sepse të hënën më 5 janar do të nisë përgatitjet me ekipin e CSKA.
Gjasat janë që lojtari të vazhdojë të qëndrojë atje sepse vetë ai ka dëshirë t’i bindë drejtuesit për vlerat e tij dhe të fitojë një vend në formacion. Por nëse situata vijon të jetë e tillë deri në fund të merkatos së janarit, nuk përjashtohet mundësia që Kevin Dodaj të huazohet te Vllaznia.
Kjo është e vetmja pistë e huazimit sepse sipas rregullores lojtari gjatë sezonit mund të luajë vetëm me dy ekipe dhe ai e ka plotësuar tashmë këtë numër, me Vllazninë dhe CSKA-në. I vetmi opsion është huazimi sërish në Shkodër, por për momentin nuk ka asgjë të vërtetë sepse Kevin Dodaj të hënën nis stërvitjet me ekipin e tij aktual.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


