Tek KF Shiroka vijojnë të mendojnë për ngjitjen në kategorinë e parë. Ato ndodhen jo shumë larg kreut të renditjes në grupin A të kategorisë së dytë dhe një ecuri e mirë në ndeshjet e fazës së dytë do ta bënte realitet dëshirën e drejtuesve të këtij klubi.
Në përpjekjet e tyre për arritjen e objektivit, ato kanë bërë ditët e fundit edhe dy përforcime të tjera cilësore. Bëhet fjalë për ish- mbrojtësin e Vllaznisë dhe të Kukësit, Xhuljan Kapllanaj. 21 vjeçari shtatëlartë në gjashtë muajt e parë të këtij sezoni ka qenë pjesë e ekipit AE Alexandrias në Greqi.
Nga ana tjetër, Angjelo Radovani po ashtu ka qenë kohë më parë pjesë e Vllaznisë, ndërsa në gjysmën e parë të këtij sezoni ka luajtur me FC Liria të Prizrenit. Tashmë si ai ashtu edhe Kapllanaj i janë bashkuar KF Shirokës me synimin e qartë për arritjen e objektivit të saj.
Me ardhjen e këtyre dy lojtarëve padyshim që ekipi shkodran është forcuar edhe më tepër dhe tashmë është i plotë në të gjithë repartet e tij. Si Kapllanaj ashtu edhe Radovani konsiderohen futbollistë me shumë cilësi dhe tashmë pritet që ato t’i tregojnë edhe tek ekipi i tyre i ri.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


