Përforcimet tek KF Shiroka nuk janë vetëm në pankinë. Ditën e sotme, njëri prej drejtuesve të klubit, pikërisht Ervis Domnori ka prezantuar dy prej këtyre ardhjeve. Bëhet fjalë për një futbollist shkodran dhe një nga Xhamajka e largët.
I pari është mbrojtësi Gabriel Rroku. Ish- futbollisti i Vllaznisë në gjysmën e parë të sezonit ka lajtur në Kosovë dhe tashmë vjen tek KF Shiroka ku ka firmosur një kontratë deri në fund të sezonit, me të drejtë rinovimi edhe një sezon tjetër.
Futbollisti i dytë që është prezantuar sot është Jadon Anderson. Edhe ai luan në rolin e qëndërmbrojtësit dhe vjen nga kampionati rumun, ku ishte pjesë e Olimpia Satu Mare FC. Gjithashtu, Anderson është pjesë e kombëtares së Xhamajkës.
Ky futbollist mësohet të ketë firmosur një kontratë dyvjeçare. Të dy këta futhollistë janë vënë në dispozicion të trajnerit Bonazzoli dhe pritet të japin më të mirën e tyre në mënyrë që skuadra të arrijë objektivat e saj.
KF Shiroka do të luajë nesër ndeshjen e parë të fazës së dytë të kampionatit, atë në transfertë ndaj ekipit të Luzit dhe objektivi padyshim që do të jetë fitorja dhe jo vetëm për tre pikët, por edhe “për të marrë hak” sepse Luzi i ka shkaktuar të vetmen humbje deri tani ekipit shkodran.


