Nga Endri ÇINARI
Vllaznia-Tirana do jetë supersfida e kampionatit shqiptar në javën e 27-të të tij. Dueli që mbart një pjesë të mirë të historisë së futbollit tonë, do luhet ditën e nesërme në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Një ndeshje ku pritet spektakli jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna.
Me kuqeblutë që po kalojnë një moment të shkëlqyet forme, por edhe kryeqytetasit që duan të regojnë. Kjo pas një periudhe mjaft të vështirë që po kalon kampi bardheblu, ku tashmë ekipi rrezikon edhe “final 4.” Prandaj Tirana, jo vetëm për atë që përfaqëson, por edhe lojtarët që ka në përbërje është një kundërshtar i rrezikshëm për këdo.
Dy lojtarët kryesorë dhe që pritet të jenë një “bezdisje” për mbrojtjen kuqeblu vijnë nga krahët. Fjala është për Kristal Abazajn dhe Liridon Latifin, ku të dy futbollistët pas një nisje të ngadaltë të kampionatit duket se kanë gjetur ritmin e duhur. Madje të dy futbollistët janë golashënuesit më të mirë të skuadrës së drejtuar nga Ahmataj.
Si Abazaj, por edhe Latifi kanë shënuar nga 6 gola për kokë në këtë sezon deri më tani. Duke qenë shpesh vendimtarë me lojën dhe golat e tyre për Tiranën. Prandaj edhe ndaj kësaj dysheje pritet një vëmendje e veçantë nesër nga prapavija shkodrane. Që patjetër do kërkojë të mbajnë kuotën 0 prapa, për të vijuar me rezultatin e rradhës pozitiv në Superiore.