Heshtja në Kavajë po shkon drejt fundit. Që nga dita që zgjodhën Gugash Maganin në stol, te Besa nuk ka lëvizur asgjë. Nuk është folur për rinovime dhe aq më pak për afrime të reja. E megjithatë, e kundërta ka ndodhur. Klubi ka punuar pa zhurmë dhe nga e hëna do të nisë nga zyrtarizimet.

Kjo ka qenë strategjia e qartë e Nexhat Bizhdilit, për të mos i prishur punë vetes. Duke qenë se po tenton të shtojë cilësinë në organikë, ka pasur “drojë” nga kundërshtarët. Për të mos prishur negociatat nga ndërhyrjet e të tjerëve, presidenti ka zgjedhur këtë strategji për këtë merkato.

“Panorama Sport” mëson se nga fillimi i kësaj jave do të telefonohen një pjesë e mirë e lojtarëve që mbyllën sezonin dhe do t’u bëhet ofertë për zgjatje kontratash. Vërtet verdhezinjtë do të rindërtohen, por një pjesë e grupit të vjetshëm do të ruhet.

Dhe përvoja nuk i ka munguar nga mbrojtja e deri në sulm. Një tjetër detaj që gazeta zbulon, është numri i përforcimeve që do të bëhen. Presidenti, drejtori dhe trajneri kanë dalë në konkluzion se u duhen plot 10 lojtarë.