Erzeni do të luajë këtë fundjavë një ndeshje miqësore kundër Tiranës kampione në fuqi, por axhenda do të saktësohet vetëm sot, edhe pse gjasat janë që ndeshja të luhet në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut të shtunën.

Deri më tani klubi shijakas ka afruar plot 12 futbollistë dhe pikërisht emra si Dashamir Xhika, Gëzim Krasniqi, Klevis Hasanbelli, Ardit Peposhi, Fernando Armando dos Santos, Adnard Mehmeti, Enbija Shehu, Progon Maloku, Drilon Kryeziu, Amir Kahrimanoviç, Elis Doksani dhe Abjel Bejzade.

Gjysma e tyre e ka për herë të parë të parë që luan në Kategorinë Superiore dhe natyrisht përshtatja e tyre me kampionatin dhe skuadrën kërkon kohën e nevojshme. Trajneri Xhevahir Kapllani është munduar të japë ngarkesën e duhur këtë periudhë, por njëkohësisht ai pret që grupi të kompletohet me të tjerë lojtarë deri pak ditë para startit të kampionatit. Nga Erzeni janë larguar plot 16 futbollistë, të cilët mbajtën peshën kryesore në skuadër gjatë sezonit të kaluar.

Shijakasit e nisin kampionatin me Vllazninë, teksa ndeshja do të luhet më 20 gusht në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Kujtojmë që në historinë e përballjeve me Vllazninë në elitën e futbollit shqiptar, shijakasit kanë vetëm një fitore, pikërisht 29 shtator 2001 me shifrat 5-2. Për herë të fundit skuadrat janë përballur tri vite më parë në Kategorinë e Parë, ku në katër takime, 3 fitore mori Vllaznia dhe një Erzeni.