Të paktën për sezonin e ardhshëm, Shqipëria nuk rrezikon të bjerë në renditjen e UEFA-s, çka do të ulte në tre numrin e skuadrave të Kategorisë Superiore, që marrin pjesë në kompeticionet europiane.
Skuadrat e ligës sonë kanë arritur të marrin epërsi ndaj ligave rivale dhe të forcojnë pozitat në misionin për të ruajtur renditjen.
Kategoria Superiore renditet në vendin e 47-të në Europë, duke u ngjitur me një pozicion. Aktualisht Superiorja ka një koeficient prej 7.25 pikësh, duke pësuar një rritje prej dy pikësh në këtë fushatë të ndeshjeve të kësaj vere.
Kështu, ne kemi 1.25 pikë më shumë se Maqedonia e Veriut, që renditet në vendin e 50-të, pozicion që e ul në tre numrin e skuadrave që marrin pjesë në Europë.
Në këtë sukses kanë kontribuar të katërta skuadrat tona, por më së shumti Partizani, që ka arritur të marrë plot katër fitore dhe një barazim. Praktikisht të kuqtë i kanë bërë një nder të madh vetes, por edhe kampionatit, që ruan kuotën e katër skuadrave përfaqësuese në Europë.