Opinion nga Avenir Dani*

Kam qenë edhe vetë portier dhe njëkohësisht vazhdoj të merrem me stërvitjen e portierëve. E di mirë se çfarë do të thotë të mbrosh portën dhe pikërisht për këtë arsye, duke parë edhe gjendjen aktuale të portierit të kombëtares sonë Saimir Ujkani, jam i mendimit se ai nuk duhet të jetë në portë sonte ndaj Sllovenisë. Në ato ndeshje që unë kam mbojtur portën e kombëtares shquptare, mendoj se  kemi patur më shumë komunikim portier- mbrojtës. Sigurisht që në lojën mbrojtëse, në shumë raste është portieri ai që vendos për shumë gjëra. Sugjeron mbrojtësit, i këshillon dhe në njëfarë mënyre, fjala e tij është ligj. Të paktën kështu ka ndodhur kur unë kam qenë pjesë e kombëtares shqiptare. Këtë gjë nuk po e shohim sot tek Ujkani dhe mbrojtja e kombëtares sonë. Mjafton të analizojmë ndeshjen e fundit me Islandën. Të ndalemi tek goli i parë. Gabimin më të madh e ka mbrojtja sepse vjen një top nga rivënia anësore, preket me kokë nga dy lojtarë të Islandës njëri pas tjetrit dhe asnjë lojtar i joni nuk reagon, për të mbërritur tek portieri që nuk e di se ku e kishte mendjen sepse nga pamjet të krijonte idenë se nuk po jetonte me lojën. Edhe tek goli i dytë është sërish fajtor në vendosje. Por përveç këtyre dy momenteve, mendoj se Ujkani edhe në momente të tjera të ndeshjes ka treguar pasiguri. Ai ka mungesë besimi tek vetvetja dhe duket se nuk po kalon një formë të mirë sportive. prandaj dhe urgjentisht jam i mendimit se stafi drejtues i kombëtares sonë, për ta ruajtur atë për të ardhmen, duhet ta ulë në stol dhe të mos e aktivizojë në ndeshjen ndaj Sllovenisë. Nëse ai luan, me gjithë këtë problematikë që ka krijuar, me gjithë këtë pasiguri që shfaq edhe tek pjesa tjetër e skuadrës, do ishte fatale për karrierën e tij. Dhe kjo formë jo e mirë nuk është se ka ardhur në këto momente por ka disa kohë që po e reflekton sepse edhe në kampionatin italian ku luan, ka marrë jo pak kritika. Ai nuk garanton asgjë për portën e kombëtares sonë në këto momente dhe prandaj duhet ulur në stol.Sonte kurrsesi nuk duhet të jetë në portë ndaj Sllovenisë, të paktën kështu e gjykoj unë situatën e tij.
*Ish-portier i kombëtares shqiptare