Opinion nga RAMADAN BIGZA*

Kanë kaluar disa ditë nga ajo humbje, që do ta quaja shokuese dhe në vend që të merremi me arsyet e vërteta që e çuan skuadrën tonë kombëtare drejtë kësaj humbjeje, merremi me mosarsyet. Kerkojme ti gjejmë shkaqet e humbjes tek faktorë të tjerë, që kurrsesi nuk mund ta zbehin realitetin humbje. Humbja pra nuk na erdhi se ra shi, nuk na erdhi se ishte terreni i mbuluar me ujë. Sepse në të njëjtin terren luajti edhe kundërshtari, që duhet pranuar tashmë se është kundërshtari më i dobët nga të gjithë kundërshtarët e grupit tonë. Kjo humbje kërkon një analizë të thellë e masa konkrete. Më duket se edhe trajneri ynë italian është injektuar nga sëmundja jonë, që për humbje të kësisoji, fajin na e kanë të tjerët. Një humbje e tillë, mund të them poshtëruese, nuk mund të justifikohet as me mendimin se luajtëm më mirë dhe e meritonim fitoren. “Ishte një takim që duhet ta fitonim, por që nuk ia arritëm. Edhe terreni ndikoi deri diku”, ka deklaruar pas ndeshjes trajneri ynë. Por a është ky një justifikim për humbjen?!. Jo . Dhe mosjustifikimet e justifikimeve nga De Biazi vazhdojnë:” Pësuam një gol në pjesën e parë, i cili erdhi nga një pakujdesi e mbrojtjes sonë dhe baraspeshuam gjithçka, duke u rikthyer në fraksionin e dytë të takimit me besim për të marrë rezultatin e kërkuar. Mendoj se luajtëm më mirë se kundërshtari, e cila nga ana e vet kishte një skuadër të mirë dhe me lojtarë që kishin kualitet. Islanda e arriti fitoren edhe falë atij faulli të falur nga gjyqtari, të cilin e shndërruan në gol. Pësuam dy herë nga ato pozicione që unë i druhesha gjatë gjithë javës, ku kemi punuar shumë në këtë drejtim, por nuk  mundëm që t’i ndalnim”.
Edhe një herë pyes se a mund të jenë këto shkaqet e vërteta të kësaj humbjeje, që kemi për ta kujtuar gjatë?. Absolutisht jo.
Arsyet e vërteta  duhen kërkuar gjetkë. Në radhë të parë tek ajo eufori e krijuar para ndeshjes, ku vetë trajneri dhe disa futbollistë të njohur deklaronin se në dy ndeshjet, është fjala edhe me Slloveninë, do të marrim 6 pikë, pra thëmë troç do ti fitojmë të dyja ndeshjet, përfshirë edhe këtë me Islandën që e humbëm. Kësaj euforie tipike shqiptare i parapriu çuditerisht, nuk e di pse ndodh kjo sa herë kombëtaren tonë e drejtojnë trajnerë të huaj, një eufori mediatike, ku gazetarë të ndryshëm dhe opinionistë gjithashtu të ndryshëm, flsinin për mrekullira, më saktë flisnin përëndrra. Pra kudo ishte krijuar mendimi se dy ndeshjet janë fituara ende pa u luajtur ato. Vështirë mund të gjesh ekip tjetër, që të ketë krijuar këtë lloj euforie. Sigurisht kjo është mendësi e ekipeve të vogla sepse të mëdhatë nuk shprehen kurrsesi kështu edhe pse e dinë, që fitoren mund ta kene më se të sigurtë. Mendoj se pikërisht kjo eufori ishte një nga shkaqet e humbjes së kombëtares sonë.
Por jo vetëm kjo. Trajneri ynë ende nuk e ka konsoliduar formacionin bazë të kombëtares sonë. Ekipi ynë ka ndryshime të dukëshme nga njëra ndeshje në tjetrën. Në sulm herë luan njëri e herë luan tjetri. Janë krijuar dy dyshe sulmuesish. Nga njëra anë Bogdani e Salihi dhe nga ana tjetër Sadiku e Cani. Por megjithatë ende ky repart nuk është konsoliduar ashtu si edhe mesfusha. Kësaj radhe në formacion luajti Lika por më parë në këtë sektor  janë aktivizuar Hyka e Vila. Ndërkohë që edhe mbrojtja siç është në një ndeshje nuk është në tjetrën. Lila luajti në krah të majtë kur dihet se pozicioni i tij i preferuar është në krahun e djathtë. Edhe dy mesfushorët kosovarë të futur në formacion me urgjencë si Mehaj e Kukeli ende nuk janë konsoliduar me formacionin bazë.
Është folur me dhjetra herë se një kampionat i fortë nxjerr edhe një kombëtare të fortë. Sot mendoj se nuk është plotësisht kështu, megjithatë absolutisht nuk duhet tërhequr vëmendja nga kampionati ynë. Siç po veprohet me Gilman Likën, i vetmi nga kampionati ynë që u aktivizua ndaj Islandës, duhej të ishin pranë kësaj kombëtareje edhe futbollistë të tjerë si Erjon Vucaj, Erion Dushku, Tefik Osmani, Dritan Smajli, Sebino Plaku etj. Kjo do të nxiste edhe më shumë sedrën e futbollistëve tanë, të cilët nga dëshira për të veshur fanelën e kombëtares me siguri, që do të luftonin më shumë, duke i dhënë kampionatit ngjyra të tjera. Rritja e kampionatit do të zgjojë me siguri edhe interesimin e sportdashësve, i cili duhet thënë se po e humb çdo lidhje me futbollin. Erdhem kësisoj tek një problem i madh, tek tifozëria. Duhen respektuar “Tifozët Kuqezi”, që kanë ditur ti kthejnë kombëtares sportdashësit e munguar. Por duhet pranuar se pjesa dërmuese e tyre nuk janë shqiptarë të Shqipnisë por të ardhur nga Kosova, Maqedonia etj. Mjafton të kujtosh thirrjet e tyre “Shqipnia” me theks tek a-ja në vend të thirrjes së dikurshme të tifozëve shqiptarë “Shqipëri, Shqipëri”.
Megjithatë e keqja nuk është kjo. Populli thotë se “Peshku qelbet nga koka”. Nëse është bërë një punë lavdëruese me zgjedhjen e Bushit si një nga drejtuesit e kombëtares, nuk po ndodh kështu me trajnerin. Duhet kuptuar tashmë se gjatë këtyre 12 vjetëve që trajnerët e huaj drejtojnë kombëtaren tonë  kanë dështuar megjithë premtimet e herëpashershme deri edhe për tu kualifikuar. Pas rezultateve të para entuziazmi i tyre fillon e shuhet sikurse po ndodh edhe me De Biazin. Mendoj se 12 jet janë jo pak por shumë për të bërë një provë. Nëse i quhet sukses De Biazit se po rinovon ekipin, kjo është mangësi. Ndërrimi  i brezave në kombëtare është i domodoshëm dhe nuk ka ndonjë meritë të veçantë në këtë punë. Shumë më mirë e kan[ë bërë këtë dikur trajnerët tanë. Kujtoni Birçen, Hafizin e Zhegen , futbollistët e zgjedhur prej të cilit si Bogdani e Cana vazhdojnë të luajnë ende . Edhe pse ka kaluar më shumë se një dekadë nga aktivizimi i tyre ata vazhdojnë të jenë ndër më të mirët. Kjo është zgjedhje. Ndërsa sot  De Biazi ka luksin se ka mundësi për të zgjedhur kudo ku ka shqiptarë të talentuar. Merita e trajnerit është jo vetëm ti zgjedhë por ti përshtatë me lojën që ai kërkon të bëjë ndaj kundërshtarëve të ndryshëm. Lojtarët e zgjedhur kërkohet të jenë të aftë për të bërë dallimin ndaj të tjerëve dhe kombëtarja të realizojë ato objektiva, që një popull i tërë pret prej kohësh. Është pikërisht kjo arsyeja, që më shumë se një trajner i huaj këtë e kupton një trajner vendas. De Biazi edhe pse ka bërë disa zgjedhje, rezultatet tregojnë se ato nuk po bëjnë zgjidhjen e kërkuar. Kombëtarja ka nevojë pikërisht për trajnerë që shkojnë tek fitorja dhe jo të justifikojnë humbjen, duke folur si fitues?!
Mendoj se pranë kombëtares duhen ofruar edhe futbollistë të tjerë, që aktualisht gëzojnë një formë mjaft të mirë sportive. Duhen thirrur futbollistët Xhevahir Sukaj , Bekim Bala, Besart Berisha, apo edhe futbollistë të tjerë të marrë nga ekipi i shpresave apo ai i 19-vjeçarëve. Shqipëria nuk ka kohë për të pritur. Etja për të fituar na është bërë mëse e domodoshme, ashtu siç nuk po na durohet një kualifikim në ndonjë nga eventet e rëndësishme. Është e paarritshme?. Absolutisht jo. Por ajo bëhet konkrete me njerëz, që dijnë ti kthejnë situatat në favor të tyre dhe jo me ata, që kur digjen nga qumështi i fryjnë edhe kosit. Fitorja me Qipron nuk duhet të mbetet etaloni i vetëm i një suksesi.
*Kryeredaktor i “ALBANIA PRESS”