Tuesday, March 17, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREKoicidenca, 3 kartonë të kuq në 4 përballjet Egnatia-Vllaznia

Koicidenca, 3 kartonë të kuq në 4 përballjet Egnatia-Vllaznia

Nga Endri ÇINARI

Përballjet mes Vllaznisë dhe Egnatias në sezonin 2025-26 të Kategoria Superiore kanë qenë ndër duelet më të forta dhe më të ndezura të këtij edicioni. Në katër sfidat e zhvilluara deri më tani, bilanci flet në favor të kuqebluve, të cilët kanë regjistruar dy fitore, ndërsa dy ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim, duke e bërë këtë çift një nga përballjet më interesante të kampionatit.

Skuadra shkodrane ka arritur të triumfojë në dy raste, fillimisht me rezultatin 2-0 dhe më pas me një fitore minimale 1-0, duke treguar efikasitet dhe qëndrueshmëri në momentet vendimtare. Nga ana tjetër, Egnatia ka mundur të marrë vetëm dy barazime në këto përballje, fillimisht në një sfidë spektakolare që u mbyll 2-2 dhe më pas në një ndeshje më taktike që përfundoi pa gola, 0-0.

Megjithatë, përtej rezultateve, ajo që bie më shumë në sy në këtë përballje është tensioni i lartë që ka shoqëruar çdo ndeshje mes dy skuadrave. Statistikat tregojnë se në katër ndeshjet e këtij sezoni janë dhënë plot tre kartona të kuq, një shifër që dëshmon qartë rivalitetin dhe ashpërsinë që karakterizon këtë duel.

Një tjetër detaj interesant është fakti se të tre kartonët e kuq kanë qenë në dëm të Egnatias. Në përballjen e fazës së parë ishte futbollisti Wotlai që u ndëshkua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë, duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak në një moment delikat të ndeshjes.

Në fazën e dytë, historia u përsërit sërish për ekipin nga Rrogozhina. Këtë herë ishte Fangaj ai që u detyrua të linte fushën para kohe, pasi u ndëshkua me dy kartonë të verdhë. Ndërsa në përballjen më të fundit mes dy skuadrave, ishte Xhemajli ai që mori kartonin e tretë të kuq të këtij sezoni në këtë çift, sërish pas dy paralajmërimeve nga arbitri.

Të gjitha këto episode tregojnë qartë se përballjet mes Vllaznisë dhe Egnatias janë shumë më tepër sesa thjesht ndeshje kampionati. Rivaliteti, presioni dhe rëndësia e pikëve kanë krijuar një duel të mbushur me emocione dhe tension, i cili pritet të mbetet i tillë deri në vërshëllimën e fundit të këtij edicioni të Superiores.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments