Kombëtarja e Afganistanit në basketboll për femra, e sistemuar në Shqipëri me rezidencë në Shëngjin, ka zgjedhur Shkodrën që të bashkëpunojë në organizimin e aktiviteteve sportive të përbashkëta. Kështu, Kombëtarja e basketbollit të femrave afgane, ka zhvilluar disa takime me ekipet e klubit Vllaznia.
Paraditën e djeshme, në palestrën sportive të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ekipi i basketbollit të femrave të këtij universiteti me trajner, pedagogun e sporteve Ermal Milla, priti Kombëtaren e femrave të basketbollit të Afganistanit.
Referuar miqësorës në fjalë, duhet thënë se pjesën e parë e fitoi Universiteti “Luigj Gurakuqi”, ndërsa fitues i gjithë takimit ishte Kombëtarja e Afganistanit me rezultatin 48-54.
Organizimi i kësaj miqësoreje, si edhe veprimtarive të tjera të afganëve në Shkodër, është bërë i mundur nga Fondacioni “Shpresë për Botën” me drejtues fred Zefin.
Më herët, Zefi dhe fondacioni që ai drejton, ka bërë të mundur edhe disa ndeshje të tjera miqësore me ekipin e Vllaznisë në basketboll për femra, por edhe veprimtari të tjera argëtuese për komunitetin afgan që vazhdon të jetë i akomoduar në Shëngjin, por që herë pas here preferon Shkodrën për aktivitete të përbashkëta kulturore, artistike dhe sportive.
Maringlen ZHIVANI