Ndeshja e shumëpritur nga tifozeria shqiptare , ajo e 7 qershorit kundër Norvegjisë, duket se ka zgjuar interesimin jo vetem të tifozerisë, por të një “mysafiri” të pazakontë, politkanëve. Pozitë e opozitë mësohet se qysh tani kanë nisur “luftërat” për një biletë në tribunat e “Qemal Stafës”.
Duket se ky pikërisht do të jetë edhe vendi i përbashkët i politikanëve shqiptarë që kanë zgjedhur për të bërë fushatën parazgjedhore mbrëmjen e së premtes.
Shumica prej tyre mbase s’do ta kenë vizituar ndonjëherë stadiumin, e as nuk do të kenë fort njohuri për lojtarët, por kjo nuk do t’i pengoj ata drejt qëllimit të tyre, “vjeljes së votës”.
E vërteta është që Kombëtarja është e gjithkujt dhe e askujt njëkohësisht, por ekspozimi nëpër ngjarje të tilla në prag të zgjedhjeve është i dëmshëm për sportistët dhe për më tepër gjest i turpshëm e i neveritshëm nga ana e politikanëve.
Kryeministri Sali Berisha, pak muaj më parë thurte “elozhe” për Tifozat Kuq e Zi, që siç i quante ai janë frymëzuesit e ligës së përbashkët të futbollit mes Kosovës e Shqipërisë dhe se ai do ta jetësonte këtë ide” gjë që u harrua shumë shpejt, siç u harrua edhe stadiumi i ri.
Atij madje nuk i iku as goli i famshëm i Hamdi Salihit në fitoren e madhe të Oslos, duke krijuar batuta me mbiemrin e sulmuesit shqiptar që sipas tij siguronte fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e 23 qershorit.
Nëse pozita e përdori Kombëtaren për të luajtur më kartën e nacionalizmit, opozita as që morrin mundin ta përmendin, lërë më të projektonin diçka më tepër.
Unë “i përhershmi” i stadiumit kur luan Kombëtarja, do të jem “viktimë” e pabarazisë.
Ata do të marrim biletën “dhuratë”, unë do të detyrohem ta blej në tregun e zi.
Ata do të ulen në llozhen VIP me çati mbi kokë, tifozeria do të jetë përballë e lagur nga shiu dhe djersa.
Ata do të futen në stadium duke ecur mbi tepihun e kuq, unë do të jem përballë duke u shtyrë nga policia dhe turma që pres të hyj për vetëm një porte të hapur 2m x 1m.
Ata do të “rehatohen” nëpër karriget e tyre, unë do jem përballë tyre duke qëndruar në këmbë.
Ata do të futen nën përcjellje të rojeve dhe policisë, unë do të kontrollohem nga 15 policë njëri pas tjetrit si të isha ordinerë!!!
Ata dhe unë do të ikim me zërin e ngjirur, por me vetëm një dallim atyre do t’iu ngjiret zëri nga premtimet nëpër fushata, mua do më ngjiret zëri në stadium duke bërë tifo për Shqipërinë.
Përfundimisht, ata do të ikin e do të kthehen pas 4 viteve në prag të zgjedhjeve të tjera, unë do jem aty përsëri e përsëri në stadiumi-muze të luftës së dytë botërore duke përkrahë Kombëtaren.
Kombëtarja si votë!
Opionion nga Petrit Osmani