Nga Maringlen ZHIVANI
Kombëtarja shqiptare U-21 ka fituar ndeshjen miqësore ndaj San Marinos në “Air Albania” me rezultatin 2-0. Kuqezinjtë dominuan takimin, krijuan raste të shumta dhe vulosën fitoren me golat e Kevin Dodajt dhe Feta Fetait.
Ndeshja nisi mirë për Shqipërinë dhe pas dominimit që në start, rrugën e rrjetës e gjeti Kevin Dodaj në minutën e 21′. Në fund të pjesës së parë, Shqipëria U-21 pati mundësinë për të dyfishuar rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë, por Feta Fetai nuk arriti të shënonte.
Në nisje të pjesës së dytë, sërish ishte protagonist Kevin Dodaj, i cili me një assist të dhënë për Fetain, ishte pikërisht ky i fundit që gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 52-të dhe i çoi shifrat në 2-0.
Deri në fund kuqezinjtë kontrolluan ndeshjen dhe krijuan raste të tjera, por pa mundur të gjenin rrugën e rrjetës. Ndeshja u mbyll me fitoren e kuqezinjve 2-0. Këto miqësore janë shumë të rëndësishme, pasi Shqipëria po përgatitet për Europianin U-21.