Skuadra kampione e Shqipërisë në futbollin e femrave, Ada e Velipojës, pasditen e së sotme do të niset drejt Sllovenisë ku do të zhvillojë ndeshjet kualifikuese për Ligën e Kampioneve. Siç dihet, në bazë të shortit të hedhur, ndeshjet e këtij grupi ku përveç Adës bëjnë pjesë edhe ekipet kampione të Polonisë, Bjellorusisë dhe Sllovenisë, do të zhvillohen në datat 8-13 në qytetin Primorje të Sllovenisë. Në kampin velipojak tashmë gjithçka është gati për këto ndeshje. Presidenti Lazër Matija ka kompletuar ekipin me bazën e duhur materiale dhe po ashtu është siguruar gjithçka edhe sa I takon udhëtimit. Nga ana tjetër edhe trajneri Selami Pepaj e ka bërë gati skuadrën.

Dy miqësoret e zhvilluara me kampionen e Malit të Zi dhe në veçanti ndeshja e dytë, kanë treguar se skuadra është në rrugën e duhur. Përforcimet e bëra edhe me katër futbollistet malazeze por edhe vajzat e tjera që janë pjesë e skuadrës që sezonin e kaluar, kanë krijuar një ansambël vërtetë interesant. Ndeshja e parë për kampionen tonë do të luhet më datën 8 gusht ora 17.00 dhe përballë saj do të jetë skuadra kampione e Bjellorusisë Bobruichanka. Dy ditë më vonë, më 10 gusht  ora 20.30, do jetë ndeshja e dytë përballë kampiones së Polonisë Unia Raciborz ndërsa më datën 13 gusht, ora 17.00 do të jetë ndeshja e tretë dhe e fundit, përballë kampiones së Sllovenisë Pomurje. Shorti është shumë I vështirë sepse përballë Adës do jenë skuadra që përfaqësojnë vende të zhvilluar në futbollin e femrave. Megjithatë drejtuesit e skuadrës velipojake premtojnë të bëjnë më të mirën në këtë kompeticion shumë të rëndësishëm europian për të nderuar siç duhet futbollin shqiptar.
Gjergj KOLA