Ekipi i Kombëtares së Shqipërisë U-17 ka zyrtarizuar dy ndeshje miqësore ndaj përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, në muajin shtator. Dy federatat përkatëse kanë rënë dakord për zhvillimin e këtyre dy ndeshjeve në datat 12 dhe 14-shtator.

Sfida e parë e kuqezinjve do të luhet në transfertë, më 12-shtator, ndërsa përballja e dytë do të zhvillohet dy ditë më pas në vendin tonë, teksa mbeten për t’u përcaktuar stadiumet se ku do të luhen dhe ora e takimeve, ku një opsion është edhe stadiumi “Loro Boriçi”.

Këto dy sfida janë të vlefshme për ekipin kuqezi, që drejtohet nga trajneri Ervin Bulku, i cili do të testojë dhe do t’u japë mundësi futbollistëve, që do të thërrasë të tregojnë cilësitë e tyre, për të vendosur më tej për grupin e lojtarëve, që do të përfaqësojnë Shqipërinë, në eleminatoret e kampionatit europian 2022-2023 për këtë grupmoshë.

Shqipëria U-17 është shortuar në grupin 7, së bashku me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin, ku ndeshjet do të zhvillohen në formën e një mini-turneu në Kroaci në muajin tetor, përkatësisht në datat 20, 23 dhe 26-tetor.

Trajneri Ervin Bulku ka shfrytëzuar të gjitha datat e mundshme të UEFA, por edhe ditë të tjera për të zhvilluar seleksionime dhe grumbullime me futbollistë nga brenda dhe jashtë vendit, në mënyrë për të spikatur elementët më të mirë, që mund t’i shërbejnë ekipit kombëtar.

Gjithashtu, Shqipëria U-17 ka zhvilluar edhe disa miqësore përgjatë këtij viti, teksa të fundit ishin ato ndaj Kosovës në muajin qershor, ku kuqezinjtë morën një fitore dhe një barazim.

Ndërkohë, data e grumbullimit të ekipit U-17 dhe lista e futbollistëve të thirrur për miqësoren ndaj Maqedonisë së Veriut, do të bëhet me dije në javët në vazhdim.

Maringlen ZHIVANI