Kombëtarja e Shqipërisë U-19 do të luajë ditën e sotme një miqësore të rëndësishme me Italinë U-19. Ndeshja mes dy ekipeve kombëtare U-19 do të luhet në Koverçano pasditën e sotme dhe do të startojë në orën 18:30.

Trajneri shkodran i kuqezinjve, Armando Cungu ka ftuar për këtë test 20-futbollistë, një pjesë e mirë e të cilëve kanë qenë vazhdimisht pjesë e përfaqësueses së 19-vjeçarëve gjatë këtij viti dhe që kanë marrë pjesë në miqësore apo seleksionimet e shumta.

Kështu, bien në sy edhe dy emra futbollistësh shkodranë që premtojnë shumë për të ardhmen, siç janë mbrojtësi Daniel Hysaj dhe sulmuesi Albion Kurbasha.

Ndërkohë, ky është viti i dytë rradhazi që Kombëtarja U-19 zhvillon një miqësore ndaj Italisë, duke e kthyer këtë test tashmë në një traditë. Kjo do të jetë një ndeshje mjaft e vyer për të parë gjendjen e kësaj skuadre dhe elementët e perspektivës përballë një rivali prestigjioz.
Maringlen ZHIVANI