Nëse herën e parë shumëkush mendoi se ishte thjesht një premtim electoral, ai I djeshmi ishte shumë më tepër. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe kandidatët për deputetë të forcës politike që qeveris aktualisht vendin, kanë premtuar ndërtimin e plotë të stadiumit “Loro Boriçi” por edhe të një kompleksi të ri sportiv në Shkodër. Premtimi është bërë në takimin e djeshëm që kandidatë për deputetë të PD-së kanë patur me veteranë të sportit, sportistë dhe drejtues aktualë të tij në këtë qytet. Që në fillim të takimit është shprehur lidhja e ngushtë e shumë prej këtyre kandidatëve me sportin teksa zonja Topalli ka patur të vëllanë- Gjonin, një volejbollist të njohur të Vllaznisë, kandidatje tjetër- Voltana Ademi ka patur babënë, Vehbinë, një basketbollist dhe trajner me shumë emër, Helidon Bushati ka patur babanë e tij, Skënderin, atlet shumë të njohur dhe drejtues të sportit në Shkodër.
Pa harruar kurrsesi në rreshtin e këtyre kandidatëve, ish-portierin e mirënjohur të Vllaznisë Armir Grima që sot mban postin e drejtorit sportiv në klubin shkodran. Pikërisht lidhjet e tyre shumë të forta të këtyre kandidatëve, i bëjnë mëse të realizueshme premtimet e bëra.
-Kompeksi sportiv. I premtuar pak vite më parë, kompleksi I ri sportiv në dalje të Shkodrës, duket se ka filluar të marrë jetë. Tashmë është siguruar toka për ndërtimin e tij, tek ish-SMT-ja dhe po ashtu është bërë edhe projekti për të. Bëhet fjalë për një investim prej 600 milionë lekësh të reja. Kaq është vlera që do shpenzohet për ndërtimin e tij. Bëhet fjalë për një kompleks modern, që do t’I shërbejë jo vetëm futbollit por edhe sporteve të tjera. Në 12.2 hektarë sipërfaqe totale ku është menduar të ndërtohet ky kompleks, janë llogaritur një fushë e madhe futbolli, 4 fusha minifutbolli, 6 fusha basketbolli të hapura, 5 fusha volejbolli të hapura, 4 fusha tenisi dhe 2 pishina olimpike. Të gjitha këto në një vend sëbashku, çka do ta bënin një qendër sportive vërtetë të mrekullueshme. Projekti I Bashkisë Shkodër sigurisht që do ketë edhe financimin e saj por edhe të donatorëve të tjerë. Këta të fundit, I ka premtuar se do t’I gjejë kryeparlamentarja Topalli bashkë me deputetët e tjerë të Shkodrës. Topalli e ka thënë edhe para veteranëve dhe figurave të shquara të sportit që kanë qenë të pranishme në takimin e djeshëm. “Unë përulem me respekt ndaj të gjithë juve që na keni bërë të ndihemi krenarë që jemi shkodranë. Dhe prandaj, duke e patur shumë të qartë se çfarë do të thotë sporti për këtë qytet, marr përsipër se do ta ndërtoj këtë kompleks sportiv. Do negociojmë me donatorë të ndryshëm, do bëjmë ç’është e mundur për ndërtimin e tij dhe të jeni të bindur se në fund të mandatit të ardhshëm katërvjeçar, ky kompleks do jetë I përfunduar. Jua jap fjalën për këtë”- ka thënë ajo.
Stadiumi. E ndërsa sipas sporteve të ndryshme është diskutuar edhe për atletikën, volejbollin, basketbollin, peshëngritjen, boksin etj, për të dalë tek futbolli ka menduar specialisti I mirënjohur I futbollit shkodran Ramazan Rragami. Fakti që takimi I djeshëm është zhvilluar fare pranë stadiumit “Loro Boriçi”, bënte të mundur që të gjithë të shihnin nga jashtë gjendjen e degraduar të tij. Mjeshtri Rragami I ka kërkuar zonjës Topalli të ndërhyhet për ndërtimin edhe të këtij impianti sportiv. “Jam shumë dakord me ju zoti Rragami. Shkodra meriton një stadium më të mirë, një stadium bashkëkohor prandaj dhe unë bashkë me deputetët e tjerë marrim përsipër të lobojmë dhe të gjejmë fondet për ndërtimin dhe përfundimin e tij. Na takon të kemi një stadium moder sepse këtu ka lind futbolli dhe këtu duhet të jemi sërish në pararojë të këtij sporti”- ka deklaruar kryeparlamentarja Topalli.
Në këtë mënyrë kanë lindur shpresa që më në fund do ndërhyhet në infrastrukturën sportive. Takimi I djeshëm nuk ka qenë thjesht një premtim, por një zotim që pritet të mbahet. Kompleksi sportiv duhet të mbarojë shumë shpejt ndërkohë që për stadiumin shpresat janë të mëdha për ndërtimin e plotë të tij. Njerëzit e futbollit dhe ato të sportit në tërësi, dje janë kënaqur nga premtimet e bëra dhe tashmë presin që ato të cilët I dhanë ato, t’I mbajnë sepse Shkodra siç është krenuar gjatë gjithë historisë me sportin, duhet të krenohet sërish me të.
Gjergj KOLA
Ne foto projekti i kompleksit te ri sportiv qe mendohet te ndertohet ne Shkoder