Ish lojtari dhe trajneri i Superiores Shkëlqim Muça ka folur për ndeshjen që zhvilloi kombëtarja kuqezi dje në Poloni. Ekipi i Sylvinhos u mund minimalisht 1-0 në Varshavë megjithëse zhvilluan një lojën me ritëm.

Muça për emisionin “Sport News” në News 24 vlerësoi performancën e lojtarëve dhe skemat e trajnerit. Ish tekniku u shpreh se Sylvinhos i duhet dhënë kohë dhe evidentoi që kombëtares tonë i mungon një mesfushor si Ervin Skela.

Kuqezinjtë vuajtën dhe dje për një fantazist apo mesfushor sulmues që mbështet ofensivën. Kjo u pa në shumë aksione të lojtarëve që nuk dhanë pasin final për golin.

“Meritonim diçka më shumë? Ne presim kohën. Kjo historia e vjetër që luajmë mirë dhe nuk marrim pikë duhet të marrë fund. Ardhja e Silvinjos ka krijuar një klimë tjetër. Unë mendoj që ekipi paraqiti një dëshirë të madhe për fitore. Ne pamë një ndeshje të mirë, polakët nuk na dominuan, fatkeqësisht sulmet tona janë spontane. Ne kemi nevojë për një lojtar të tipit Skela, pra që lidh mesin e fushës me sulmin. I mbetet Silvinjos që të bëjë një zgjidhje të situatës.

Sylvinho? Është një trajner që ka një mentalitet sulmues. Duket që nga mënyra si e ka vendos ekipin. Duhet të njohë më mirë cilësitë e lojtarëve për t’u marrë më të mirën. Duke njohur më mirë lojtarët, do e përmirësojë edhe mënyrën e lojës. Në aspektin sulmues duhet të kishim pjesëmarrje më të madhe. Portieri nuk ishte në nivelin e gjithë lojtarëve të tjerë, kjo për faktin se ka luajtur pak.

Shanse për kualifikim? Ne duhet të mbajmë objektivin e qartë për kualifikimin. Kemi dy ekipe që nuk duhen nënvlerësuar si Moldavia dhe Ishujt Faraoe. Objektivi jonë është shumë i rëndësishëm. Duhet të kesh ecuri gjatë gjithë edicionit. Janë ndeshje të vështirë. Pavarësisht nëse kualifikohemi apo jo, trajnerit Silvinjo duhet t’i japim kohë. Duhet të ndërtojmë një skuadër të fortë, pse jo të shkojmë edhe në Botëror. Silvinjo ka kohë për t’i njohur.”