Pas pjesmarrjes shumë të suksesshme javën e kaluar në kupën “Mishel Cico” që u zhvillua për tre ditë me rradhë në qytetin e Korçës, çiklistët e Vllaznisë përgatiten për një tjetër aktivitet ku do të marrin pjesë. Bëhet fjalë për Kampionatin Kombëtar që është edhe gara më e rëndësishme e vitit. Paraqitja shumë e mirë e bërë në garat e Korçës, është një tregues se ekipi shkodran do të bëjë të njëjtën paraqitje edhe në aktivitetin e rradhës.

Trajneri Leonat Kola është I bindur për këtë gjë, bindje që e bazon tek puna sistematike e bërë gjatë këtyre gjashtë muajve pa ndërprerje. Sipas informacioneve që ai I bën të ditura për televizionin Rozafa, Vllaznia do të përfaqësohet në këtë kampionat me 8 sportistë që do të konkurrojnë në kategorinë e xhuniorëve dhe të kadetëve. Me më të rriturit në garë do jenë Bruno Kola, Astrit Kronaj, Kledison Cani, Alfons Rrashkadoli dhe Sion Gjoka ndërsa me të tjerët në start do jenë çiklistët Gjergj Zefi, Defrim Dholla dhe Samuel Bajrami. Padyshim që objektivi I çiklistëve shkodranë në këtë kampionat do jetë triumfi me të dy këto kategori ku Kola, Kronaj, Cani e ndonjë tjetër pretendojnë të shpallen kampionë me grupmoshën e tyre ndërsa me më të vegjëlit është Zefi ai që ka më shumë pretendime për t’ u shpallur kampion. Kampionati kombëtar do të ketë dy gara, atë të kronometrit individual që do të zhvillohet të mërkurën në Tiranë ndërsa një ditë më vonë, do të jetë gara e rezistencës, ajo me itinerar Tiranë- Elbasan- Tiranë. Vllaznia në çiklizëm prej 2-3 vitesh është duke bërë një paraqitje shumë të mirë në të gjitha garat e zhvilluara dhe kemi të bëjmë me një brez sportistësh të talentuar që padyshim po synojnë ta rikthejnë këtë sport sërish në nivele të larta siç ka qenë vite më parë. Për ta bërë këtë gjë, do synojnë padyshim edhe titullin kampion për vitin 2017, që natyrisht është plotësisht I arritshëm.

© shkodrasport.com