Federata Shqiptare e Futbollit ka zhvilluar një konferencë të jashtëzakonshme në lidhje me akuzat për zhdukjen e fondeve të FIFA dhe zgjedhjet në Shoqatat Rajonale.

Përpara gazetarëve foli drejtori juridik në FSHF, Aldi Topçiu, që tregoi se janë njoftuar FIFA dhe UEFA për presionet politike. Në komunikim, Topçiu solli shembullin se në zgjedhjet e Shoqatës Rajonale të Elbasanit, ka pasur sulm fizik dhe psikologjik.

Pjesë nga fjala e Topçiut.

“Pati sulm fizik dhe psikologjik për anëtarët e Shoqatës së Elbasanit. U thirrën që në mëngjes në zyrën e Bashkisë së Elbasanit, se nëse nuk merrnin vendime kundër, të afërmit e tyre do largoheshin nga puna. U ishte dhënë edhe një fletushkë sesi duhet të vepronim. Këta njerëz të sportit, të mësuar me presione, kur ke përballë dy njerëz që njëri të kërcënon dhe tjetri të jep dorën, zgjodhën këta të dytët. Në fund u zgjodhën edhe delegatët në Shoqatën Rajonale.

Në mungesë të numrave, bëjnë këto veprime në kohë fushate. Doja t’iu sqaroja edhe për “llumin” e Shijakut që përbëhet nga Erzeni. Pas disa vitesh, Erzeni në fund u bë shoqatë me pesë anëtarë, dy prej të cilëve ishin përfaqësues edhe të Bashkisë Shijak.

Erzeni është pjesë e Shoqatës së Durrësit, që morën vendimet e tyre për zgjedhjet në këtë Shoqatë. Bashkia e këtij qyteti nëpërmjet kryetarit, ka autorizuar një person që të autorizojë një person që të ndjekë punimet e FSHF dhe Shoqatave. Nga nxitimi e përgatisin shkresën përpara njoftimit. Një entietet që nuk është pjesë e Shoqatës dhe as pronare klubi, sepse një Bashki e ndalon ligji, për më tepër që duhet të shesin aksionet për mos ndikuar në sport.

Shoqata e Tiranës ka njoftuar UEFA dhe FIFA dhe janë të dokumentuara presionet me pamje, duke kërkuar ndihmën e tyre. FSHF e ka detyrë statutore që të mbrojë të gjithë anëtarët e saj. Forca e organeve të futbollit qëndron në pavarësinë e tyre politike dhe ekonomike. Të gjithë anëtarët që nuk e zbatojnë këtë pikë në statut, kuorumi nuk do llogaritet. Eksperienca na tregon se kushdo që kërkon ndihmë jashtë komunitetit të futbollit, nuk ia ka dalë.

Ndryshimi i vullnetit nga anëtarët në Elbasan dhe shkuarja në noteri bëhet nga presionet. Punimet e Shoqatës në Elbasan janë me audio dhe video dhe shprehet qartë vullneti i anëtarëve”, tha mes të tjerash Topçiu.