Skënderbeu është shpallur kampion i Shqipërisë për sezonin 2021-2022 në volejbollin e femrave. Korçaret e trajnerit Pandi Kapedani kanë fituar finalen e katërt në kryeqytetet ndaj Tiranës me rezultatin 1-3 (19-25, 23-25, 26-24, 23-25) , duke mbyllur 3-1 serinë e finaleve në favor të tyre.

Një sukses më se i merituar për skuadrën juglindore, që këtë edicion erdhi me shumë investime, duke afruar edhe 5 lojtare të huaja.

Finalja e katërt, e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” ishte shumë e bukur, duke i argëtuar qindra të pranishmit që e ndoqën nga afër.

Skënderbeu u tregua më i saktë dhe më i vendosur, duke bërë të tijin një trofe që mungonte që prej vitit të largët 1986 në Korçë. Ky është titulli i gjashtë kampion kombëtar në histori për Skënderbeun.