Lëvizjet e futbollistëve nga kampionati shqiptar në vende të ndryshme të Europës apo edhe më tej kanë qenë të shpeshta në dy dekadat e fundit. Por në vitet e fundit një destinacion që është shndërruar shumë i preferuar për futbollistë apo trajnerë nga vendi ynë është Kosova. Shumë futbollistë cilësorë janë larguar drejt Superligës kosovare në këto sezone.
Këtu për të përmendur disa emra të njohur të kampionatit tonë si Progni i cili është protagonis kryesor me kryesuesit e Gjilanit. E po ashtu Franc Veliu apo edhe mesfushori shkodran, Erjon Vucaj. Titullar i padiskutueshëm tek Drita dhe kampion para dy sezonesh me skuadrën bardheblu.
Emra të tjerë si Koliçi i cili prej disa sezonesh është portieri më i mirë në Kosovë, Broja, Ibrahimi e shumë të tjerë kanë lënë Superligën e Shqipërisë për t’iu bashkuar asaj të Kosovës.
Edhe trajnerë të mirënjohur si Mirel Josa dhe tani së fundmi edhe Ilir Daja kanë preferuar futbollin kosovar në periudha të ndryshme të karrierës së tyre.
Kjo vjen si fakt se futbolli kosovar po merr një zhvillim me hapa galopant. Rrogat dhe pagesat korrekte, si edhe zhvillimi i infrastrukturës ku duhet thënë se ka ende shumë punë duket se tërheqin njerëzit e futbollit. Tashmë edhe Kosova është shndërruar në një “parajsë” dhe destinacion shumë të preferuar.