Mikael Panos është lojtari më i ri i Vllaznisë. Mesfushori me tipare mbrojtëse prej shtatorit bën pjesë në grupin e lojtarëve te kuqeblutë, por për shkak të ardhjes me vonesë dhe dëmtimit nuk u federua gjatë verës.

Francezi 24-vjeçar ka pasur kohën e mjaftueshme për t’u rikuperuar dhe provuar te shkodranët në seancat stërvitore në muajt e fundit.

Drejtuesit, me sa duket, janë bindur nga mesfushori dhe palët kanë gjetur akordin mes tyre dhe Panos ka nisur stërvitjen me grupin. Pritet që në bazë të formës së tij, klubi të vendosë për firmën dhe kushtet e kontratës gjatë merkatos së dimrit.

Në rrjetet sociale, 24-vjeçari e quan veten lojtar të Vllaznisë, ndonëse klubi ende nuk e ka prezantuar zyrtarisht. Ai ka luajtur në Francë me Shateoru dhe Sent Etien për të vijuar më pas karrierën në Qipro te Pafos dhe Paralimniou.

Sa i përket merkatos, mësohet se shkodranët kanë dashur edhe Sabien Liljan dhe shkes për të afruar korçarin u bë ish-shoku i tij i skuadrës te Skënderbeu, Liridon Latifi.

Por, me sa duket, kjo mbeti vetëm si dëshirë merkatoje, pasi Lilaj pritet që ta vijojë karrierën te Dinamoja pas largimit nga Prishtina.

Ndërsa klubi po ndjek të njëjtën strategji si në merkaton e verës duke qenë të kujdesshëm dhe diskretë sa u përket piketave që kanë për forcimin e skuadrës.

Sipas zërave të merkatos, flitet se drejtuesit po bisedojnë edhe me një sulmues cilësor, i cili më parë ka qenë pjesë e Superiores.