Një lajm i mirë ka ardhur së fundmi për ekipin e Vllaznisë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë afrim në merkato, as për ndonjë fitore, por për rikunstruktimin total të fushës sportive “Reshit Rusi”.

Duket se tashmë punimet në këtë fushë janë drejt përfundimit dhe shumë shpejt do jetë gati për ekipin kuqeblu.

Kjo edhe për ti dhënë fund “vuajtjeve” të muajve të fundit, ku skuadra shkodrane nuk ka pasur ambientet e duhura për tu stërvitur. Madje në këto ditë mendohet se ekipi do shtegtojë drejt Malit të Zi dhe më saktësisht në Ulqin për të zhvilluar një proces stërvitor në kushte sa më optimale, për të qenë gati për kampionatin.

Por ky hap i parë i rehabilitimit të “Reshit Rusit” , do i hapë rrugën edhe disa investimeve të tjera në infrastrukturë. Prej disa kohësh po punohet për një kompleks sportiv në rrethinat e Shkodrës. Kompleks modern që nuk do shërbejë vetëm për skuadrën e parë, por edhe skuadrat e akademisë apo ekipeve të ndryshme private në Shkodër.

Patjetër që infrastruktura është baza për zhvillimin e një sporti sa më cilësor. Si edhe në përgatitjen e elementëve sa më të talentuar, prandaj është një pikë shumë e rëndësishme në projektin e drejtuesve të Vllaznisë për këtë vit.

Endri ÇINARI