Në sezonin e shkuar Vllaznia e mbylli fazën e parë me 11 pikë të grumbulluara, duke u renditur në grupin e pretendentëve për një vend në Europë. Ndërsa në këtë edicion, ku edhe pretendimet ishin më të mëdha me afrimin e disa lojtarëve cilësorë shkodranë, gjërat nuk rrodhën siç duhet. Skuadra në këtë fazë të parë ka zhvilluar 6 takime në transfertë dhe tre në fushën e vet. Në tre takimet e zhvilluara në “Loro Boriçi”, Vllaznia ka marrë vetëm një pikë. Ndërsa në 6 përballjet në transfertë kuqeblutë kanë marrë 5 pikë.

 

Ekipi e nisi këtë sezon me një fitore në transfertë, 2-0 ndaj Lushnjës. Por, një javë më pas shkodranët zhgënjejnë në shtëpi duke u mundur 1-0 nga Teuta. Në javën e tretë Vllaznia merr një barazim pa gola ndaj Luftëtarit, ndërsa pas një jave po në transfertë kuqeblutë humbin 2-0 ndaj Laçit vendës.

Në javën e pestë, sërish në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllaznia nuk arrin që të gjej fitoren. Ato mbyllin në barazim 1-1 përballjen me Flamurtarin. Pas një jave Vllaznia pëson zhgënjimin e radhës, ku mundet 1-0 në Kamzë. Pas kësaj humbje ka ardhur edhe dorëheqja e trajnerit Armando Cungu dhe stafit të tij. Por, edhe afrimi i Ernest Gjokës nuk është se solli ndonjë mrekullinë në kampin shkodran në tri javët e fundit. Në debutim trajneri Gjoka u mund 1-0 në “Loro Boriçi” nga Partizani, ndërsa pas një jave Vllaznia ndali Kukësin në “Zeqir Ymeri”, takim i cili u mbyll në shifrat 2-2. Faza e parë duhej të mbyllej në Shkodër, por për shkak të punimeve në fushën e stadiumit, shkodranët udhëtuan si pritës në Korçë, ku mundën 2-0. Vllaznia ka shënuar 5 gola dhe ka pësuar 10 në 9 javë kampionat. Aktualisht shkodranët janë shumë më keq se një vit më parë, duke ditur se në këtë periudhë Vllazina kishte 5 pikë më shumë.