Vllaznia e këtij sezoni për momentin ka një ecuri pak më të mirë se një vit më parë në të njëjtën periudhë të kampionatit. Që do të thotë se pas 20 ndeshjesh të luajtura, kuqeblutë kanë dy pikë më shumë të grumbulluara.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Edi Martini ka për momentin 36 pikë ndërsa ajo e Brdariç një sezon më parë pas 20 javësh kishte grumbulluar 34 pikë. “Diferencën” e bëjnë dy barazime më tepër këtë sezon kur janë 6 të tillë ndërsa një vit më parë ishin 4. Humbjet me Martinin në pankinë janë vetëm 4 për këtë periudhë të kampionatit, ndërsa me Brdariç ishin 6.
Sakaq numri i fitoreve në të dy sezonet është i njëjtë- nga 10. Pra kuqeblutë kanë marrë trepikësha në gjysmën e ndeshjeve të luajtura. Skuadra e Martinit sivjet ndërkohë ka një tjetër statistikë pozitive, pëson më pak. Në 20 ndeshje ajo ka pësuar 17 gola, ndërsa në të njëjtën periudhë vjet kishte pësuar plot 25.
Megjithatë skuadra e Brdariç vjet shënonte më shumë, plot 31 gola në kaq ndeshje të luajtura, ndërsa këtë herë me Martinin ka shënuar katër më pak, pra 27.
Gjithsesi këto janë vetëm statistika dhe krahasime. I rëndësishëm do të jetë fundi i kampionatit. Vjet me Brdariç Vllaznia u shpall nënkampione e Shqipërisë dhe tani të presim se çfarë do të na dhurojë skuadra e drejtuar nga Edi Martini.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


