Vllaznia është në rrezik për arritjen e Kupave të Europës nga kampionati dhe ky synim nëpërmjet tij është vënë në dyshim. Periudhën e fundit, ka pasur një zhgënjim të madh te tifozët, por tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në ndeshjet në vazhdim.

Sikurse ndodh zakonisht, specialistë dhe trajnerë shkodranë, japin mendimin e tyre dhe një të tillë e ka dhënë edhe trajneri Kreshnik Krepi, aktualisht në krye të Kombëtares së femrave U19.

Gjatë emisionit “Sport Arena” në TV Rozafa, Krepi u ndal tek ndeshja e rradhës e Vllaznisë, që do ta luajë ndaj Partizanit, teksa u shpreh se shkodranët janë me një marsh me shumë se të kuqtë, ndërsa theksoi se ai është i bindur se Vllaznia do ta kalojë Partizanin.

“Vllaznia është me një marsh me shumë se Partizani, sepse i kanë eleminuar në Kupë domethënë dhe them të vërtetën jam i bindur se me optimizmin si është në skuadër dhe me qetësinë që i ka dhënë arritja në finale, Partizanin do ta kalojmë.

Megjithatë, nuk është vendimtare ky trepikësh për arritjen e Europës në kampionat”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri shkodran, Kreshnik Krepi.
Maringlen ZHIVANI