Në muajin qershor të këtij viti, për herë të parë në histori, do të zhvillohen Lojërat Europiane. Një aktivitet shumë i rëndësishëm ku do të marrin pjesë sportistët më të mirë të të gjitha vendeve të Europës dhe në të gjitha llojet e sporteve. Këto Lojëra do të zhvillohen në qytetin Baku të Azerbajxhanit. Në to, do të marrë pjesë edhe Shqipëria dhe Komiteti Olimpik ka nisur përgatitjet për të përzgjedhur sportistët që do ta përfaqësojnë vendin tonë në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm. Në sportin e boksit, përfaqësues do të jetë boksieri i talentuar shkodran Kristian Demaj. Ai është zgjedhur në mënyrë unanime nga Federata Shqiptare e Boksit në mbledhjen e Këshillit të trajnerëve dhe kuptohet që e meriton sepse për momentin është boksieri më i mirë i vendit. Demaj ka lënë pas një vit 2014 shumë të suksesshëm me tituj e trofe të shumtë. Po ashtu, e ka nisur mbarë edhe vitin aktual duke qenë pjesë e ekipit Meksiko Guerreros në Ligën gjysmëprofesioniste dhe po ashtu edhe në një ekip çek në Interligë. Boksieri shkodran vazhdon me intensitet stërvitjet për të marrë pjesë fillimisht në Memorialin Ndërkombëtar që do zhvillohet në Shkodër e më pas në disa turne të tjerë ndërkombëtar, për të mbërritur tek Lojërat Europiane në muajin qershor ku do të tentojë ta përfaqësojë sa më denjësisht vendin tonë.

© shkodrasport.com