Pas ndeshjes mori mënjanë Kulusevskin dhe i tha diçka. Mbase i shpjegoi se si një djalosh premtues mund të shndërrohet në kampion. Leksioni i Ronaldos për kolegun e ri nisi në fundin e pjesës së parë kur me një goditje dënimi e dërgoi topin në rrjetë. Edhe pse janë shokë te Juventusi, me siguri që Kulusevski ngeli i habitur nga bëma e kolegut më të vjetër.

Suedezi ishte në murin e lojtarëve përpara Olsenit dhe topi kaloi pak mbi kokën e tij. Portugezi gjeti mënyrën e duhur për t’i treguar se si lojtarët e mëdhenj i interpretojnë ndeshjet e rëndësishme. Megjithëse nuk e shihte si fiksim, 100 golat me fanellën e Portugalisë ishin një ndër synimet e numrit 7 për vitin 2020. Siç i ndodh shpesh, 35-vjeçari nuk u mjaftua me pak. Në pjesën e dytë të takimit gjeti kohën për të shënuar përsëri e cila ishte e pamundur për t’u ndaluar nga portieri i Suedisë.

FJALË KAMPIONI – Fundja legjendat kështu e kanë. Këmbët nuk u dridhen në rastet e mëdha, përkundrazi, motivohen. Kur kanë vëmendjen e tifozëve ekzaltohen. Ronaldo luajti pa tifozë në ndeshjen e fundit, por gëzimin e tij e ndau me 238 milionë ndjekësit e tij në “Instagram”, ku nëpërmjet profilit personal deklaroi:

“Krenari e pamasë për këtë objektiv historik të arritur me kombëtaren tonë. Kur më thoshin se mund të bëja 100 gola, përgjigjesha se nuk më mjaftonin. 101 gola për ty Portugali”. Tri fjali, por me shumë kuptim duke qenë se vënë në pah vendosmërinë dhe ambicien e portugezit për t’u përmirësuar sa më tepër e vazhdimisht.

Urimet nuk munguan nga të gjitha anët me Juven që iu përul kampionit të saj, por edhe Mançester Junajtidin dhe Sportingun e Lisbonës të cilat vijojnë të përkundin ëndrrën për të parë përsëri djaloshin nga Madeira të veshë fanellat e tyre. Fundja është vetë Ronaldo që mëson se si ëndrrat bëhen realitet.

MISION I KRYER – Kristiano Ronaldo ka ndërtuar një karrierë legjendare mbi gola të rëndësishëm. 101, siç e thotë vetë, nuk i mjaftojnë. Tashmë në radarët e portugezit është Ali Daei, i cili me 109 gola me fanellën e Iranit është njeriu që ka shënuar më shumë me fanellën e një ekipi kombëtar.

Nëntë gola nuk janë shumë për dikë si CR7 që shënon me një vazhdimësi të frikshme. Sa për statistikë, mund të themi se portugezi shënon prej 7 ndeshjesh radhazi, në të cilat ka realizuar 13 gola. Pak rëndësi ka nëse sfida vlen për Ligën e Kombeve apo për Europian, 35-vjeçari i ka të qarta synimet dhe e di detyrën e tij.

Madje edhe kur stadiumet janë bosh siç ndodh prej disa muajsh për shkak të Koronavirusit. Ai është kampion në fuqi në të dyja kompeticionet europiane dhe mundësia për të dyfishuar sukseset është një faktor që e motivon edhe më tepër.