Duket e pamundur, por padyshim që nëse realizohet do të ishte rikthimi më i bujshëm i historisë së futbollit europian në dekadat e fundit. Arsen Venger i ka hapur rrugë mundësisë që të kthehet përsëri në pankinën e Arsenalit, për ta ndihmuar në këtë moment krize të “topçinjve”.

Në një intervistë të dhënë për “NBC”, trajneri francez ka deklaruar se është gati të kthehet në “Emirates”, ku bëri historinë duke ndërtuar një skuadër e cila garonte çdo vit në elitën e futbollit në Europë dhe ishte pretendente për titullin kampion. “Nëse u nevojitem, do i ndihmoj”, ishin fjalët e tij, i pyetur nëse është gati të kthehet në pankinën e Arsenalit.

Trajneri kishte drejtuar nga viti 1996, deri në vitin 2018 duke fituar pothuajse gjithçka me këtë klub. Por në fund tifozët ishin mërzitur prej tij, aq sa shprehja “WengerOut”, pushtoi për thuajse një vit rrjetet sociale.

“Koha është një mjek i mirë”, ishte komenti i Venger i pyetur se si mund ta pritnin tifozët një kthim të mundshëm të tij. Në fakt, që prej largimit të Venger, Arsenali ka përjetuar pak suksese, siç e tregon ndërrimi i vazhdueshëm i trajnerëve dhe fakti që nuk ka qenë asnjëherë faktor në Angli në këto dy vite. Venger fitoi tre tituj kampion dhe 7 Kupa FA gjatë viteve të tij në drejtimin e Arsenalit, në një periudhë që u cilësua më e suksesshmja e londinezëve. /vipsport/