Gjatë gjithë vitit 2019, një nga temat që është diskutuar më shumë ka qenë ajo që i përket problemeve financiare që kanë klubet në elitën e futbollit shqiptar.

Një pjesë e madhe e klubeve të Superiores janë në borxhe, ndaj lojtarëve aktualë e të kaluar, trajnerëve, stafit apo palëve të treta, përfshirë këtu edhe shtetit,. Një situatë kolapsi e cila çuditërisht bie në kundërshtim të plotë me një raport të publikuar së fundmi nga FIFA.

Kjo e fundit, nga të dhënat zyrtare që ka siguruar nga sistemi i saj për transferimet, ka regjistruar gjatë vitit 2018 në total 253 transaksione të klubeve të futbolli shqiptar dhe për më tepër, sipas saj rezulton që gjatë këtij viti, fitimet të kenë qenë kolosale.

Në raportin e siguruar nga VIP Sport, në periudhat e merkatos 1 janar-31 janar 2018 dhe 14 qershor-31 gusht 2018, sipas FIFA-s, janë kryer 163 transferime në hyrje në klubet shqiptare dhe 90 transferime në dalje. Sipas të dhënave të saj që janë zyrtare e të konfirmuara, rezulton se për të blerë futbollistë, klubet shqiptare kanë shpenzuar në total 0,1 milionë dollarë.

Ndërkohë, nga shitja e futbollistëve, të ardhurat e klubeve shqiptare kanë arritur 2,5 milionë dollarë. Një shifër mbresëlënëse kjo që bën edhe më të çuditshëm faktin se si klube të cilat kanë përfituar këto shuma vetëm nga shitja e futbollistëve, kanë bërë që në fillimin e vitit 2019 futbolli shqiptar të cilësohej në kolaps financiar.

Ashtu vazhdon të jetë edhe tani kur shumë klube kanë lojtarë pa u paguar prej muajsh apo pasiguri për të ardhmen e tyre