Dy orë më vonë, do lëmë pas një vit të tërë të mbushur me ngjarje dhe zhvillime sportive. Në Shkodër kemi patur një vit të suksesshëm teksa nuk kanë munguar edhe rezultatet e larta të sportistëve por edhe të ekipeve. Të tillë e konsideron vitin 2017 drejtori i Sportklub Vllaznia Mark Kroqi në një prononcim për “Shkodra Sport” kur shprehet: “Po mbyllim një vit të suksesshëm në të gjitha drejtimet. Sportistët dhe ekipe tona kanë qenë në nivelin e duhur duke përfaqësuar me sukses klubin Vllaznia, Shkodrën dhe Shqipërinë.

Mund të përmend rezultatet e larta të atletit Izmir Smajlaj që u shpall Kampion Europe dhe Kampion Ballkani, rezultatet e larta të Erkand Qerimaj në peshëngritje me medaljet e fituara në Europian dhe me vendin e katërt në Botëror. Kemi patur suksesin e boksierit Bekim Vjerdha që fitoi “Gongun e Artë” në Maqedoni. Po ashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur sukseset në rangun kombëtar të ekipit të boksit, të volejbollit për meshkuj që u shpall për herë të parë kampion, të atletikës, të gjimnastikës dhe të çiklizmit, që ka një ekip i cili premton shumë për të ardhmen. Jam i bindur se sukseset do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për këto ekipe por edhe të tjerat e klubit Vllaznia”. Nga ana tjetër, drejtori Kroqi ka edhe një urim për të gjithë sportistët e trajnerët duke thënë: “U uroj në rradhë të parë shëndet e mbarësi, sportistëve, trajnerëve por edhe sportdashësve të cilët kanë qenë gjithmonë pranë ekipeve tona. Viti 2018 qoftë i mbarë për të gjithë ata dhe për të gjithë shkodranët e shqiptarët”.

© shkodrasport.com