Gjuha kroate së fundmi është pasuruar me një fjalë të re, e cila synon të zëvendësojë termin “VAR”, i përdorur gjerësisht vitet e fundit në terminologjinë sportive, veçanërisht në futboll.
Sipas mediave kroate, pedagogia nga Osijeku, Josipa Curic, ka propozuar që për VAR të përdoret fjala “presudnik” (gjykatës). Ky propozim është shpërblyer me çmimin për fjalën më të mirë të vitit nga revista “Jezik”.
Kujtojmë se VAR është bërë një term universal për sistemin e kamerave dhe teknologjinë që përdoret në futboll për analizimin e vendimeve të diskutueshme të gjyqtarëve, duke ndikuar ndjeshëm në uljen e gabimeve.
Në konkursin e organizuar nga revista “Jezik”, fjala “presudnik” doli fituese mes 412 propozimeve të paraqitura.
Më herët, në përpjekje për të kroatizuar terminologjinë sportive, janë propozuar edhe fjalë si “kuterac” për “korner” dhe “trogodak” për “hat-trick”. Mbetet për t’u parë nëse këto terma do të gjejnë përdorim të gjerë në publik. /Telegrafi/


