Tizhani Reijnders, i vlerësuar si lojtari zbulim i Serisë A, ka folur për sezonin e tij të parë si kuqezi. Mesfushori holandez dha disa deklarata për “La Gazzetta dello Sport” ku shprehu qartë idetë e tij për të ardhmen në skuadër dhe individualisht.

Çfarë mendoni për sezonin tuaj të parë te Milani?

Nuk jemi të kënaqur, qëllimi ynë ishte të fitonim titullin dhe kjo nuk ndodhi. Sa për mua, është vetëm një çështje që të përshtatem me futbollin italian, të përmirësohem dhe të hedh hapa më të mëdhenj sezonin e ardhshëm.

Çfarë duhet të bëjë Milani për të zvogëluar diferencën me Interin?

Mendoj se këtë sezon kishte shumë lojtarë të rinj, duhej të njiheshim. Sezonin e ardhshëm do të ketë një ndryshim të madh. Jam i bindur.

Joshua Zirkze nuk u grumbullua për Kampionatin Europian. Si e shpjegoni?

Ai është dëmtuar kohët e fundit, mendoj se kjo është arsyeja e vendimit. Po bën shumë mirë, është një futbollist i mirë dhe një person i mirë, shpresoj që të thirret herën tjetër. Sidoqoftë, këto janë vendime që nuk më takojnë mua.

Këtë sezon keni luajtur shpesh si mesfushor difensiv. Cili është pozicioni më i dashur për ju?

Jam një lojtar që mund të luaj në të gjitha rolet e mesfushës, këtë vit jam bërë një mesfushor total, madje duhet të luaj edhe më mbrapa. Për përmirësimin tim, ishte shumë e dobishme.

Cili ishte momenti më i vështirë i vitit?

Kur Interi fitoi skudeton në fushën tonë, por nuk duhet të mendojmë më për të kaluarën pasi është më mirë të shikojmë nga e ardhmja. Duhet të marrim mësim dhe të mos humbasim më shumë pikë në ndeshje të caktuara.

Keni ndonjë mendim për ndryshimin e mundshëm në stol?

Nuk mund të them asgjë për zgjedhjen e trajnerit. Është një vendim që i takon klubit dhe ne futbollistët duhet të jemi të fokusuar vetëm në fushë.

Cili është raporti juaj me Stefano Piolin?

Ai është një trajner i shkëlqyer dhe kam një marrëdhënie fantastike me të. Për mua ai është një person i rëndësishëm, brenda dhe jashtë fushës. Më ndihmoi shumë për t’u ambientuar te Milani. Këtë vit në fillim ishim një ekip me shumë elementë të rinj e duhej të punonim për t’u njohur më mirë ndaj trajneri ishte thelbësor për gjithçka.

Çfarë synoni për sezonin e ardhshëm?

Synimi ynë vitin e ardhshëm është të fitojmë kampionatin dhe më vjen keq që nuk ia dolëm këtë vit. Sezonin e ardhshëm gjërat do të jenë më mirë sepse grupi do të jetë më i bashkuar dhe do të arrijmë rezultate më të mira. Na vjen keq sepse ishte objektivi ynë. E nisëm mirë, por më pas humbëm shumë pikë kundër skuadrave që ishin brenda mundësive tona.