Gabriel Guri do të jetë portieri i ri i Laçit në sezonin e ardhshëm. Portieri nga Velipoja e Shkodrës është zyrtarizuar mbrëmjen e sotme nga vetë klubi kurbinas duke u konsideruar si një goditje e tij në merkato
“KF Laçi njofton se ka arritur marrëveshjen me U. S. Sassuolo për huazimin e portierit 20-vjeçar Gabriel Guri.
Pas eksperiencave me disa ekipe si Sassuolo, Le Havre U19, Paris SG U19 dhe Chateauroux U17, Guri i bashkohet ekipit bardhezi për një aventurë të re.
KF Laçi i uron mirëseardhjen dhe shumë suksese!
Ky huazim u bë i mundur nga agjenti i mirënjohur Bernard Kulla”- shkruhet në këtë postim.
Guri dy sezone më parë u pat shpallur kampion i Francës për grupmoshën U19 duke mbrojtur portën e ekipit PSG. ndërsa në sezonin e kaluar ka qenë pjesë ekipit italian Sassuolo U20. Tashmë vjen tek Laçi me besimin për të treguar talentin e tij dhe për të qenë titullar i portës kurbinase.


