Tuesday, July 14, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENdeshja e kthimit ne Malishevën, sulmin nën ‘vëzhgim’ te Vllaznia

Ndeshja e kthimit ne Malishevën, sulmin nën ‘vëzhgim’ te Vllaznia

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia do të zbresë në fushë për ndeshjen e kthimit ndaj Malishevës me një objektiv të qartë: sigurimin e kualifikimit për në raundin e dytë të Conference League. Pas fitores 2-1 në “Loro Boriçi”, kuqeblutë kanë një avantazh minimal, por janë të vetëdijshëm se për ta mbrojtur atë do të duhet një paraqitje edhe më bindëse në fazën sulmuese. Këtë herë, vëmendja është e përqendruar te reparti ofensiv, prej të cilit priten golat që mund të vulosin fatin e përballjes.

Në sfidën e parë në Shkodër, protagonistët ishin repartet e tjera. Mesfushori Klinti Qato riktheu baraspeshën, ndërsa Emiljano Musta realizoi golin e fitores, duke i dhënë avantazhin Vllaznisë përpara transfertës. Sulmuesit kontribuan me lëvizjet dhe punën e tyre në fushë, por nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës, ndaj në Kosovë pritet që përgjegjësia të kalojë pikërisht mbi ta.

Në qendër të sulmit do të jetë sërish dyshja Bekim Balaj-Rrok Toma. Kapiteni mbetet pika më e fortë e ofensivës shkodrane me eksperiencën dhe instinktin e tij për golin, ndërsa Toma synon të konfirmojë besimin e stafit teknik me një paraqitje vendimtare. Kombinimi mes përvojës së Balajt dhe energjisë së Tomës konsiderohet një nga armët kryesore të Vllaznisë për të goditur Malishevën.

Një gol nga sulmi do t’i jepte jo vetëm më shumë qetësi kuqebluve, por edhe do ta detyronte Malishevën të ndryshonte plotësisht strategjinë e saj. Pikërisht për këtë arsye, pritet që Vllaznia të mos mendojë vetëm për mbrojtjen e rezultatit të ndeshjes së parë, por të kërkojë të godasë në momentet e duhura, duke shfrytëzuar cilësitë e repartit ofensiv.

Tashmë fjala i takon sulmuesve. Pas golave të ardhur nga mesfusha dhe mbrojtja në aktin e parë, ndaj Malishevës pritet që Balaj, Toma dhe gjithë reparti ofensiv të marrin përgjegjësitë e tyre. Nëse do të arrijnë të tregojnë vlerat e tyre para portës, atëherë shanset që Vllaznia të festojë kualifikimin për në raundin e dytë do të rriten ndjeshëm.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments