Arsid Kruja është një prej lojtarëve me shumë rendiment te Vllaznia e këtij sezoni. Se sa i rëndësishëm është shkodrani për formacionin kuqeblu e konfirmojnë pozicionet që ka ndërruar gjatë kampionatit, duke luajtur në të trija repartet: mbrojtje, mesfushë dhe sulm.
Pra, një “xhol” për trajnerin Tomas Brdariç, që edhe këtë herë në ndeshjen ndoshta më të rëndësishme të këtij kampionati, atë ndaj Partizanit, do t’ia besojë Krujës rolin e mbrojtësit të djathtë, pasi kapiteni Erdenis Gurishta do të mungojë për shkak kartonësh. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori prek të gjitha temat, nga rikthimi te fitorja, ndeshja me të kuqtë dhe objektivat.
Arsid, a mund të themi se pas asaj fitoreje në transfertë ndaj Kastriotit është rikthyer Vllaznia e pjesës së parë të sezonit?
Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë sepse nuk varet kampionati nga një fitore. Me këtë dua të them se duhet të përqendrohemi dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një. Normalisht që tri pikët me Kastriotin të japin frymëmarrje, por kemi ndeshje shumë të vështirë përpara. Më tepër ishte një fitore që na dha moral, pasi kishte javë që nuk po merrnim rezultate. Erdhi në momentin e duhur kjo kthesë dhe besoj se në ndeshjet në vazhdim do të marrim pikët dhe rezultatet që duam.
Ju mendoni se kriza që kapi skuadrën është kaluar tashmë?
Çdo ekip ka uljet dhe ngritjet e veta, por puna e mirë e bërë gjatë gjithë kampionatit dhe diferenca e pikëve që kemi pasur me rivalët, na la hapësirë që gabimet mos të na ulnin në klasifikim, por thjesht të na ngushtojnë diferencën. Kemi bërë gabime jo të vogla, pasi sot mund të kishim qenë me diferencë pikësh nga vendi i dytë.
Specialistët kanë vënë theksin te përgatitja fizike, a ka Vllaznia një rënie të tillë prej këtij faktori?
Jo, unë mendoj se ishte ngërç psikologjik dhe jo fizik ajo ecuri që kishim. Këtë po e vërtetojmë në fushë, pasi luftojmë deri në fund për të fituar ndeshjet. Ne po përgatitemi fort, si nga ana fizike ashtu edhe psikologjike.
Të shtunën prisni Partizanin. Besoni te një tjetër fitore apo është e rëndësishme që ndaj një rivali direkt të mos humbisni?
Vllaznia futet në çdo ndeshje për fitore. Ky mentalitet na ka mbajtur në vend të parë dhe kështu besoj do të vazhdojmë deri në fund të kampionatit.
Rezultati i takimit me të kuqtë sa mund të ndikojë për vazhdimësinë në kampionat?
Janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Nuk besoj se kjo ndeshje vendos për fatet e kampionatit.
Ka diçka që i trembeni në luftën për titull?
Vllaznia shikon vetëm punën e vetë dhe nuk merret me aleanca apo faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në garë. Ne bëjmë punën tonë dhe aty duhet të jemi të fokusuar. Nëse bëjmë punën tonë sa më mirë, atëherë kemi më shumë shanse për të marrë pikët e plota.
Objektivi që ka shpallur klubi është Europa. E mendoni që mund të ketë surpriza deri në fund?
Fat i mirë është se jemi në gjysmëfinalen e Kupës dhe kjo është diçka shumë pozitive, pasi luftojmë për Europën në të dyja kompeticionet. Ne jemi në vend të parë dhe jemi munduar ta mbajmë këtë pozicion që në ndeshjen e parë të kampionatit me angazhim në stërvitje dhe përqendrim maksimal, prandaj besojmë se do arrijmë ta mbajmë edhe pas kësaj jave.
Klubi ka arritur një marrëveshje për t’i hapur rrugën licencimit për Europën. Mos ndoshta tani presioni është shtuar te futbollistët?
Drejtuesit e kanë bërë punën e tyre, por edhe ne besoj se do të bëjnë më të mirën e mundshme në aspektin sportiv.