Krosi i tij për Dajan Shehin ka rezultuar shumë përcaktues në ndeshjen e fundit ndaj Apolonisë sepse ai gol vulosi fitoren e Vllaznisë. Arsid Kruja ndjehet mirë për këtë gjë dhe gjatë prononcimit të tij në emisionin “Star Sport” ku ka qenë i ftuar, është shprehur:

“Fitorja ndaj Apolonisë për të rikthyer disi besimin që ndoshta na humbi pas asaj ndeshjes me Laçin. Ishte një humbje që nuk duhej të ndodhte, por janë gjëra që ndodhin në futboll. Trepikëshi me fierakët na dha edhe njëfarë qetësie për vazhdimin e kampionatit”.

Numri 14 i kuqebluve ka folur më pas edhe për ndeshjen e rradhës, atë që Vllaznia do të luajë të dielën në Korçë. Mesfushori shkodran ka vlerësuar shumë ekipin e Skënderbeut pavarësisht pozicionit që ka aktualisht në renditje.

Në pamje të parë Skënderbeu është një kundërshtar i lehtë, por në fushën e lojës të nxjerr shumë probleme. Në përbërje të tij ka shumë elementë të rinj që luajnë fort dhe kanë edhe cilësi.

Por ne duhet të përqendrohemi dhe ta vlerësojmë maksimalisht këtë ndeshje. E konsiderojmë një ndeshje shumë të vështirë pasi kemi shumë mungesa. Por mendoj se stafi do të bëjë lëvizjet e duhura, për të gjetur edhe lojtarët e duhur me të cilët të synojmë suksesin.

Me një trepikësh të mundshëm në Korçë, do të bëjmë një hap shumë të rëndësishëm përpara. E rëndësishme është që t’i shërbëjmë maksimalisht skuadrës, nuk ka rëndësi se kush do të shënojë, por të fitojmë dhe të ecim përpara”-ka thënë Arsid Kruja./SHKODRA-SPORT.COM/