Suad Lici ka qenë i drejt përdrejtë dhe i ashpër. Ai ka zbardhur bilancin financiar të financave të klubit shkodran. “Sa për t’ju sqaruar. Buxheti i Vllaznisë është 44 milionë lekë të rinj. Me këto paguhen 25 punëtorë ku pagat e futbollistëve shkojnë 40 milionë lekë të rinj në muaj.

Trajneri Dedja merr 2500 euro rrogë. Me gjithë taksa, ai merr 4 milionë e 200 mijë lekë (të vjetër). Jonuz? Ai e ka pasur thuajse të njëjtën, 4 milionë e 500 mijë lekë (të vjetër). Të flisni pa përgjegjësi, të ngrini akuza sikur administratori i Vllaznisë harxhon 1 miliard e 200 milionë lekë të rinj…

Më vjen keq. E kam marrë Vllazninë në Kategori të Dytë, pra në Kategorinë e Parë. Kam bërë 50% ulje të pagave të buxhetit. Vllaznia ka dalë nënkampione në atë kategori me një fond prej 45 milionë lekësh të rinj, duke përfshirë ushqim, akomodim, paga sportistësh e çdo gjë. Çdo gjë është në bilanc, në periudhën korrik 2018 kur kam ardhur unë si administrator.

Madje, për periudhën 2019, një pjesë e fondit nga 44 milionë lekë të rinj, 16 milionë lekë të rinj janë shpenzuar për borxhet e vitit të kaluar. Me këtë fond prej 44 milionë lekë të rinj, Bashkia e Shkodrës paguan tri struktura: Strukturën e Vllaznisë, e cila ka mbi 30 punëtorë, bashkë me stafin drejtues e gjithkënd. Paguan strukturën e akademisë, që janë rreth 13 punëtorë. Paguan strukturën e stadiumit, që janë 12 punëtorë. Nuk lejoj askënd që të hedhë baltë”.

ASPEKTI SPORTIV – “Vllaznia është i vetmi ekip që është bërë për dhjetë ditë, në periudhën kur ishin zgjedhjet lokale. Kohë në të cilën nuk dihet se çfarë do të bëhej, se kush do të vinte kryetar bashkie. Skuadra është bërë për dhjetë ditë. Kam kërkuar që të kem edhe Hebajn edhe shumë futbollistë të tjerë te Vllaznia, por më kanë kërkuar shifra që ishin të parealizueshme nga buxheti ynë dhe u kam uruar suksese.

Duhet të jemi shumë të qartë, që lojtari më i shtrenjtë te Vllaznia paguhet 2 mijë euro. Ndërsa te Tirana paguhet 7 mijë euro, prandaj është diferencë shumë e madhe. 13 blerjet? Kam qenë i detyruar që të blej lojtarë për të çuar Vllazninë aty ku është. Vllaznia është skuadra më e pastër që ka luajtur futboll deri tani. Luhet më shumë jashtë fushe, sesa brenda fushës”- ka deklaruar numri 1 i klubit shkodran.