Federata Shqiptare e Volejbollit ka zhvilluar sot në Tiranë një zbor me lojtaret kandidatë të ekipit kombëtar të femrave. Ajo që të bën përshtypje është se në listën e sportisteve të përzgjedhura nga trajnerët Hasan Gurabardhi dhe Altin Martiri, është edhe volejbollistja e Vllaznisë Ana Gjelaj. Ky natyrisht që është një sukses për këtë sportiste, e cila ka dhënë një kontribut jo të vogël tek skuadra e saj duke qenë liderja e saj. Jo më kot, pak kohë më parë, Gjelaj pati një ofertë edhe nga skuadra e Tiranës por ajo preferoi për arsye të ndryshme të qëndronte pranë familjes së saj në Shkodër. Thirrja në kombëtare duhet të jetë një nxitje më shumë për këtë sportiste për karrierën e saj në të ardhmen. Kuptohet që ky i sotmi ka qenë thjesht një zbor me lojtaret kandidate për ekipin kombëtare dhe Ana Gjelaj ndoshta mund të mos jetë në përfundim pjesë e ekipit megjithatë e rëndësishme është që ajo është kontigjent i këtij ekipi. Kanë mjaftuar vetëm pak ndeshje që kjo sportiste luajti me Vllazninë në këtë sezon të parë me të rriturat në mënyrë që ajo të spikaste me lojën e saj si pasuese. Pikërisht, kjo ka bërë që ajo të jetë në vëmendjen e trajnerëve të ekipit kombëtar.

www.shkodrasport.com